Prokuroria lë jashtë aktakuzës krerët e OSHP-së për tenderin e “Autostradës së Gjilanit”

Prokuroria Speciale para pak ditëve ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve me iniciale B.R, I.B, M.E, dhe L.L, për vepra të ndryshme penale. Bëhet fjalë për ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe zyrtarët e ministrisë, Isa Berishën, Mirdit Emini dhe Leonora Limani.

Lajme

27/02/2021 19:00

Për keqpërdorime të mundshme në tenderin e Autostradës së Gjilanit, Prokuroria Speciale ka njoftuar se aktakuza është ngritur për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri B.R, ka kryer veprat penale “Ushtrim i ndikimit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “Shpëlarje e parasë” nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafin 1 nën paragrafin 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parasë dhe Financimin e Terrorizmit.

Ndërsa për të pandehurit I.B, L.L dhe M.E, është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtarë” , shkruan lajmi.net.

Megjithëkëtë pjesë e hetimeve intensive kanë qenë edhe tre anëtaret e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina -kryetar, Nuhi Paçarizi -anëtarë dhe Goran Milenkovic – anëtarë. Ata kanë mbetur jashtë aktakuzës të cilën ka ngritur prokurorja, Habibe Salihu.

Lajmi.net e ka parë raportin e dy ekspertëve ligjor të angazhuar nga Prokuroria Speciale, i cili është hartuar në fund të vitit 2019, si pjesë e hetimeve.  Raporti përmban 31 faqe dhe ka konstatuar se për këtë aktivitet të prokurimit, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e Ministrisë dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit me veprimet  tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe kanë favorizuar ofertat e kompanive të papërgjegjshme, e po ashtu kanë diskriminuar kompani tjera garuese.

Raporti quhet “Mendimi i ekspertëve të PSRK-së lidhur me rastin Ministrisë së Infrastrukturës “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 –Kryqëzimi në disnivel A6/A7. (Banullë) – udhëkryqi Bresalc –L 22.31 km me numër të prokurimit të brendshëm MI 17 046 551 dhe me numër të E-prokurimit 202 -17-2586 -5 -1 -1”.

Disa faqe në raport flisnin edhe për dyshimet se Paneli Shqyrtues i OSHP-së vendosi në favor të ministrisë, duke hedhur jashtëligjshëm ankesat e kompanive, kur kishte vendosur që të kthej në rivlerësim këtë tender.

“Paneli shqyrtues në vendimin e nxjerr në lidhje me ankesën e parashtruar nga OE ankues, konkretisht OE ankues Famis Co, lidhur me kompaninë e rekomanduar për kontratë për lot 2 “Gjoka Konstruksion”, nuk është përgjigjur në pretendimet ankimore, siç kërkohet me LPP, por Paneli shqyrtues është thirrur në konstatimet se ka plotësuar kërkesë e dosjes se tenderit dhe njoftimit për kontratë. Bazuar në njoftimin e Panelit shqyrtues, si dhe sqarimet e dhëna në vendim, vlerësojnë se i njëjti panel ka vepruar në mënyrë kundërthënëse, në një formë duke përdorur si arsyetim për refuzim të ankesës të OE Famis Co, konstatimin ekspertit shqyrtues të OSHP, por në anën tjetër Paneli ka vepruar me vendim në kundërshtim me ekspertizën e ekspertit të OSHP-së duke hedhur poshtë rekomandimet e ekspertit shqyrtues për të kthyer në rivlerësim lot 2 sipas rekomandimit të bërë nga ana e ekspertit shqyrtues të OSHP-së. Me këtë veprim të panelit, konstatojmë se është munduar të përdorë ekspertizën e ekspertit vetëm në disa konstatime të ekspertit ku kanë qenë të  përshtatshme për ta përdorur si arsyetim në vendimin e marr gjatë refuzimit të ankesës të OE ankues dhe të njëjtat konstatime i kanë përdorur në vendim për të arsyetuar kinse OE të rekomanduar për kontratë nga ana e ministrisë janë të përgjegjshëm, ndërsa konstatime e ekspertit në lidhje për të gjeturat e OE të shpërblyer me kontratë nuk janë marr parasysh nga ana e panelit shqyrtues, sepse rekomandimi i ekspertit të OSHP-së ka qenë që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim për shkak të gjeturave se janë shkelur dispozitat e LPP-së”, thuhet ne raport.

Po ashtu, raporti thekson se, edhe eksperti i OSHP-së në konstatimet e tij në ekspertizë është munduar që në koordinim me panelin të paraqes sa më pak fakte dhe të pozicionohet në disa të gjetura më të vogla lidhur me ofertat e OE të shpërblyer me kontratë, për t’i mundësuar panelit që të ketë më të lehtë për të marr vendim që të refuzojë ankesën e operatorëve ekonomik si të bazuar.

Duke pasur parasysh të gjitha veprimet e Panelit Shqyrtues me rastin e vendimmarrjes për këtë aktivitet të prokurimit dhe kallëzimit penal të datës 14.06.2019 me nr. Ref 06/03-169/2019 nga DSAK, sipas ekspertëve të prokurorisë, ekziston dyshimi se Paneli shqyrtues i OSHP-së, Blerim Dina –kryetar, Nuhi Paqarrizi –referues dhe Goran Milenkoviq- anëtar, kanë marrë vendim jo të drejtë duke pas parasysh të gjeturat nuk kanë arritur të përmbushin detyrimet e veta me qëllim implementimin e ligjit të prokurimit dhe parimin bazë të prokurimit publik si barazia e palëve, kursimi i buxhetit apo parasë publike.

“Paneli shqyrtues i OSHP-së, edhe pse ankesat e OE për shumë pika kanë qenë shumë të sakta dhe konkrete sa i përket ofertave të OE fituese, sikurse në vendimin e tyre ashtu edhe në deklaratat e dhëna në hetuesi cekin se kanë qenë pretendime ankimore gjenerale e disa edhe të pa qëndrueshme, por pa i trajtuar në mënyrë specifike si do të duhej të ishte, apo edhe konstatimet e ekspertit shqyrtues nuk i kanë marrë për bazë në të gjitha rastet, por vetëm aty ku kanë pasur interes”.

Pas analizimit të dokumentacionit në dispozicion për këtë aktivitet të prokurimit, dy ekspertët e angazhuar nga prokuroria kanë ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit (Autoriteti kontraktues dhe Organi Shqyrtues i Porkurimit) kanë kryer vepër penale të cilat i u vihen në barrë në kallëzimin penal të hetuesisë. Zyrtarët e dyshuar me veprimet si dhe mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi 2 milionë euro vetëm me rastin e një mosrenditje adekuate sipas çmimit më të ulët si dhe kanë favorizuar ofertat e OE të pa përgjegjshëm dhe kanë diskriminuar të tjera OE duke i klasifikuar si të pa përgjegjshëm me standarde të dyfishta, me ç’rast edhe kanë dëmtuar konkurrencën e lirë dhe lokale sipas LPP-së, njëherësh edhe afarizmin e OE të diskriminuar.

Andaj, eksperteët kanë rekomanduar edhe hapa të mëtutjeshëm që: Të intervistohen i dyshuari ud. Drejtor i prokurimit dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave të Autoritetit kontraktues dhe të ballafaqohen me raportin e vlerësimit dhe ofertat origjinale të OE pjesëmarrës. Të intervistohen të dyshuarit anëtarë të Panelit shqyrtues të OSHP-së, të intervistohen dëshmitarët, ekspertët e OSHP-së.

Megjithëkëtë këtë ekspertizë, prokurorja Salihu ka lënë jashtë gjykimit për korrupsion.

Ministria e Infrastrukturës kishte bërë vlerësimin e ofertave për ndërtimin e “Autostradës së Gjilanit”. Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte gjetur shkelje ligjore në vlerësimin e parë dhe kishte marrë vendim që lënda të kthehet në rivlerësim.

Pas rivlerësimit, për kontratë nuk është rekomanduar asnjë nga kompanitë që ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë. /Lajmi.net/