Prokuroria kërkon rigjykim për ish-gjyqtaren Safete Tolaj dhe rritje të dënimit për djalin e saj

Në Gjykatën e Apelit  është mbajtur seanca për rastin e ish-gjykatëses Safete Tolaj, si dhe djalit të saj, Fisnik Tolaj dhe zyrtarit policor, Granit Shehaj.

Lajme

31/01/2019 17:14

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 13 korrik 2018, e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, kjo Gjykatë e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Ferizajt, duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe se dënimi për të akuzuarin Fisnik Tolaj nuk është i lartë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në aktgjykimin e shkallës së parë nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike, pasi që Gjykata nuk ka vendosur në aktgjykim lidhur me konfiskimin e një banese në Prishtinë.

Ndaj kësaj ankese të Prokurorisë kanë dhënë përgjigje mbrojtësit e Safete Tolajt, Fisnik Tolajt dhe Granit Shehajt, raporton kallxo.com.

Sipas avokatit Gëzim Kollçaku, mbrojtësi i  Fisnik Tolajt,  Prokuroria nuk ka pasur të drejtë të kërkojë dënim më të lartë për klientin e tij pasi që në asnjë pikë të ankesës nuk e ka arsyetuar këtë kërkesë.

Ndërsa, sipas tij, edhe banesa e përmendur nuk është fituar me kryerje të veprës penale, ku edhe në bazë të dëgjimit të dëshmitarëve, sipas tij, vendimi i Themelores ka qenë meritor në këtë pikë.

Gjithashtu shtoi se ka parashtruar ankesë vetëm lidhur me sanksionin penal ndaj Fisnik Tolajt, pasi që i njëjti ka pranuar fajësinë për veprimet e tij, por që ata kishin kërkuar nga Prokuroria të modifikojë dispozitivët që të tregohet e vërteta se Tolaj pa ndikimin e askujt kishte kryer veprimet e tij.

Më tutje shtoi se janë pajtuar me rrethanat lehtësuese që i kishte bërë shkalla e parë, mirëpo të njëjtat rrethana nuk kishin qenë të mjaftueshme pasi që në rrethanë lehtësuese, sipas tij, është dashur të llogaritej edhe që Tolaj është baba i tre fëmijëve dhe mbajtës i familjes.

Avokati Gëzim Kollçaku tha se kërkon që kjo Gjykatë ndaj klientit të tij të shqiptojë dënim më të butë.

Ndërsa, mbrojtësi i ish-gjykatëses Safete Tolaj, avokati Kujtim Kërveshi, deklaroi sot në Gjykatën e Apelit se hetimet ndaj klientes së tij kishin qenë brutale dhe të drejtuara ndaj individit, e jo veprës penale.

Kërveshi tha se Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë asnjë nga pretendimet e saj, ndërsa ky organ sipas tij, i kishte veçuar provat shfajësuese për Safete Tolajn.

“Në ankesën time kam theksuar që Prokuroria nuk ka të drejtë në ankesën e saj, kurse  aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë në raport me klienten time”, tha Kërveshi.

Në fund, ish-gjykatësja Safete Tolaj tha se i ka potencuar të gjitha çështjet më parë, por që ndihet keq që ka ardhur deri në këtë fazë. Sipas të akuzuarës Tolajt, asaj i janë bërë të gjitha padrejtësitë.

Në këtë rast, i përfshirë ishte edhe zyrtari policor, Granit Shehaj, i cili ngarkohej me veprën penale për ndihmë në ushtrimin e ndikimit, e i njëjti është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Ndaj lirimit të tij, Prokuroria nuk ka paraqitur ankesë.

Ky rast është i shënjestruar për liberalizimin e vizave.