Prokuroria kërkon burgim maksimal ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, që ta dënojë me burgim maksimal të pandehurin Naser Pajazitaj, i cili akuzohet për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.

Lajme

25/03/2019 13:56

Një propozim të tillë, e ka dhënë prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj në seancën e së hënës, ku ka përfunduar rigjykimi në këtë rast.

Naser Pajazitaj akuzohet se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.

Pajazitaj ishte liruar nga akuza për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit, më pas e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Në seancën e së hënës, ndër të tjera, prokurorja tha se informata e parë që familja e tani të ndjerës për zhdukjen e bijës së tyre, e kishte marr nga tani i akuzuari Naser Pajazitaj.

Sipas saj, është vërtetuar në tërësi se i akuzuari Pajazitaj kishte kryer vrasjen e tani të ndjerës duke e shfrytëzuar besimin dhe padjallëzinë e viktimës dhe e njëjta ishte gjetur në bjeshkët e Strellcit nga dy kalimtarë të rastit.

Prokurorja tha se i akuzuari kishte dhënë disa dezinformata familjarëve të tani të ndjerës, kinse e kishte parë atë në disa vende, mirëpo ky veprim nga i akuzuari, sipas saj, ishte bërë me qëllim të shmangies së gjetjes së trupit të viktimës.

Ndër të tjera, ajo shtoi se përmes kamerave të siguruara ishte vërtetuar fakti se i akuzuari në ditën kritike, nuk kishte qenë në varrimin e një bashkëfshatari.

Ndërkohë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollqaku kërkoi që i mbrojturi i tij, Naser Pajazitaj të lirohet nga aktakuza në mungesë të provave.

Kollqaku tha se i mbrojturi i tij nuk e kishte marrë tani të ndjerën me veturë, sipas tij, vërtetohet nga raporti i ekzaminimit të makinës së të akuzuarit të kryer në Ankara të Turqisë.

Sipas avokatit Kollqaku në vendin e ngjarjes nuk ishin gjetur asnjë gëzhojë e armës, ndërsa në veturën e të pandehurit nuk janë gjetur mostra të fijeve të flokut të Donjeta Pajazitaj.

Kurse, Naser Pajazitaj në fjalën e tij përfundimtare, tha se betohet se ai nuk kishte të bënte me vrasjen e Donjeta Pajazitaj dhe se nuk dinte asgjë me vrasjen  e saj.

Pas precizimit të aktakuzës nga prokuroria ku është heq pjesa lidhur me armën e panjohur me të cilën pretendohet se është përdorë për kryerjen e vrasjes, i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes dhe disa fishkë të gjetur në shtëpinë e tij.

Ndryshe, para dhënies së fjalës përfundimtarë, janë lexuar provat materiale dhe janë transmetuar video-incizimet ku shihet vetura e të pandehurit Naser Pajazitaj në ditën kritike pranë shtëpisë së Jusajve, për të cilën, prokuroria  pretendon se e i akuzuari e kishte marrë Donjeta Pajazitaj.

Gjithashtu, është shikuar edhe video-incizimi ku i akuzuari në një aheng familjar gjuan me armë të zjarrit.

I akuzuari Naser Pajazitaj, e shfrytëzoi të drejtën e tij, ligjore sikurse në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësore të mbrohet në heshtje.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet në ora 15:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, të akuzuarin Naser Pajazitaj e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, kurse e kishte dënuar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për çka Pajazitaj, ishte dënuar me dënim unik prej një dy vjet e katër muaj burgim.

Sipas këtij aktgjykimi, nuk ishte arritur të dëshmohet se i akuzuari kishte kryer vrasjen e Donjeta Pajazitajt, që ndryshe ka qenë edhe kushërira e tij.

Mirëpo, në tetor të këtij viti, pas ankesës që Prokuroria Themelore në Pejë kishte ushtruar  kundër këtij aktgjykimi, gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” theksohet se gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur të vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, ngase sipas Apelit, ka kundërthënie në deklaratën e dëshmitarëve Arjeta Ukaj, vajza e të akuzuarit mes deklaratës së saj dhe prindit Naser Pajazitaj, i cili ka deklaruar se ditën kur ka ndodhë vrasja e tani të ndjerës Donjeta, ka dalë me vajzën e tij dhe pastaj ka shkuar në varrim, mirëpo gjatë dëgjimit në prokurori e njëjta ka deklaruar se ditën kur është zhdukur Donjeta ‘unë nuk kam dal nga shtëpia’, mirëpo pas presionit nga familjarët, e njëjta e ka ndryshuar deklaratën.

Po ashtu sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë duhet të administrojë provat dhe të vërtetojë vendndodhjen e të akuzuarit në ditën kritike dhe se e ndjera Donjeta Pajazitaj a ka qenë në veturën e tani të akuzuarit, ngase nga raporti i hetuesve Albrim Mujaj dhe Veton Kelmendi është konstatuar se një dëshmitar që ka dashur të mbetet anonim, kishte deklaruar se ditën kritike rastësisht e ka vërejtur Naser Pajazitaj, me veturën “Grand Shiroka”, pikërisht afër shtëpisë së Haki Pajazitaj, i cili ishte ndalur më 13:40, dhe kishte marrë ndokënd, e që dyshon se pikërisht kishte marrë të ndjerën Donjeta Pajazitaj.

Sipas Apelit, nga kjo del se një vërtetim i tillë i gjendjes faktike, është nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 par.1 nënpar.1.12.

Sipas  aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës  gjendet pas më shumë se një muaji.

Me këtë, Pajazitaj akuzohej se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 par 1 pika 1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.

Aktakuza të njëjtin e ngarkonte edhe me vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së, gjegjësisht të një arme automatike, pushkës se gjuetisë, 12 fishekë dhe një armë e tipit “AK 47”. /Betimipërdrejtësi