Prokuroria jep detaje për vendin ku do të kryhet superekspertiza në rastin “Dehari”
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë me dije për Gazetën Express se ka caktuar institucionin që do ta bëjë superekspertizën për rastin “Dehari”. Ashtu siç kanë kërkuar prindërit e aktivistit të Vetëvendosjes, rasti do të trajtohet nga një institut në Zvicër. Zëdhënësi Ekrem Lutfiu ka theksuar se fillimisht duhet të kryhen disa “veprime paraprake” e më pas do të dihet edhe afati kohor, kur instituti helvetik do të merret me këtë çështje.
Lajme
Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës – Centre Hospitalier Universitaire Vaudois (CHUV) do ta kryejë superekspertizën për rastin “Dehari”. Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express.
“Ju njoftoj se për rastin Dehari është caktuar institucioni i cili do të bëjë superekspertizën”, ka thënë zëdhënësi i PSRK-së, Ekrem Lutfiu, të mërkurën për Gazetën.
“Superekspertiza do të bëhet nga një institucion/institut në Zvicër, ashtu siç është kërkuar nga përfaqësuesi i familjes Dehari, dhe jemi duke i shikuar edhe modalitetet rreth kryerjes së kësaj superekspertize nga autoritetet zvicerane në bashkëpunim edhe me autoritetet vendore”, ka shtuar ai.
Por, sipas Lutfiut, ende nuk dihet afati kohor se kur ky institut zviceran do të merret me rastin në fjalë.
“Pas konkretizimit të disa veprimeve paraprake do të dihet se si dhe brenda cilës kohë do të kryhet superekspertiza në fjalë”, ka theksuar Lutfiu.
Ky veprim i Prokurorisë vjen më shumë se një muaj pasi kryeministri Haradinaj kishte pritur në zyrë prindërit e aktivistit të Vetëvendosjes, të cilëve u kishte premtuar se rasti i vdekjes së djalit të tyre Astrit, në qendrën e paraburgimit në Prizren, do të ndriçohet sa më shpejt.
Më pas Qeveria e Kosovës kishte ndarë një shumë prej 50 mijë eurosh që me hetimet rreth këtij rasti të merret instituti zviceran, i përzgjedhur nga prindërit e Astritit.
Në dhjetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë, e cila hapte mundësinë për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit. Atëherë Kuvendi pati rekomanduar SHBA-në apo ndonjë vend të Bashkimit Evropian ku do të mundë të bëhej ekspertiza.
Nga raporti i autopsisë kosovare, i bërë menjëherë pas vdekjes së Deharit, rezultoi se vdekja e tij kishte ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike (mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes), si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme. Në bazë të këtyre gjetjeve, kryeprokurori Sylë Hoxha kishte konkluduar se fjala bëhet për vetëvrasje.
Por, një konstatim i tillë nuk ishte pranuar nga familja Dehari e as nga Lëvizja Vetëvendosje.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vdiq pasditen e 5 nëntorit të vitit 2016 në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai ishte në paraburgim që nga 30 gushti i atij viti, kur ishte arrestuar nga Policia si i dyshuar për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës.