Prokuroria heq dorë nga aktakuza për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Deçanit

Prokuroria Themelore në Pejë, ka hequr dorë nga aktakuza ndaj zyrtarëve të Komunës së Deçanit, Xhevdet Ramosaj, Ali Avdiu, Bekë Hasanaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe afaristit Nedi Jusaj, i akuzuar për mashtrim.

Lajme

17/04/2018 14:56

Tërheqjen nga kjo akuzë, e ka bërë kryeprokurori i kësaj prokurorie, Agim Kurmehaj, të martën në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pas kësaj, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Sali Berisha, ka deklaruar se në këtë çështje penale do të merr aktgjykim refuzues.

Kryeprokurori Kurmehaj, ka deklaruar se këtë vendim e ka marrë duke u bazuar në plotësimin e ekspertizës së ekspertit financiar, Ukë Sadiku, i cili në shqyrtimin e kaluar më 26 mars 2018, kishte deklaruar se të vetmin lëshim që e ka vërejtur me rastin e lidhjes së kontratës publike për servisimin e automjeteve të Komunës së Deçanit, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe shkollave të kësaj komune, ka qenë mos caktimi i një menaxheri apo mbikëqyrësi të kësaj kontrate.

“Në faqen 6 dhe 7 të plotësimit të ekspertizës financiare thuhet se kontratën e ka menaxhuar Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), dhe në bazë të kësaj nuk është konstatuar asnjë shkelje procedurale, gjithashtu në faqen 7 dhe 8 të kësaj ekspertize, thuhet se nuk ka dëmtim të buxhetit të Komunës së Deçanit”, tha kryeprokurori Kurmehaj, raporton Betimiperdrejtesi.com.

Kurmehaj ka shtuar se gjatë administrimit të provave, prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se në këtë çështje ka pasur fatura të falsifikuara, por më shumë kishte të bënte me çështje të gabimeve teknike, për çka sipas tij, nuk njihen si delikte të veprave penale, por përgjegjësi kundërvajtëse.

Paraprakisht në këtë shqyrtim të akuzuarit, e kanë dhënë mbrojtjen e tyre para trupit gjykues.

I akuzuari Xhevdet Ramosaj, i cili akuzohej në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Deçanit, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Florin Lata, ka deklaruar se vlera e kontratës për servisimin e automjeteve ka qenë në shumë prej 90.000 euro, ndërsa shuma prej 163.000 euro ishte e planifikuar për detajet e makinave, përkatësisht pjesët e tyre.

Ai ka shtuar se KRPP, e kishte menaxhuar këtë kontratë dhe se të njëjtit asnjëherë nuk kishin shqiptuar ndonjë vërejtje, duke thënë se në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik, ka qenë i autorizuar për nënshkrimin e kësaj kontrate.

“Edhe pse unë e kam nënshkruar kontratën, kryetari i Komunës ka qenë i njoftuar për shkak se e ka nënshkruar deklaratën për nevojat e disponueshmërisë së fondeve”, tha i akuzuari Ramosaj

I akuzuari Ali Avdiu, zyrtar për pranim në Komunën e Deçanit, në mbrojtjen e tij ka deklaruar se operatori ekonomik “Seferi Mont”, faturën e ka dorëzuar në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, të cilët pasi i zotojnë mjetet në qoftë se ka të mjaftueshme, fatura shkon në zyrën e prokurimit dhe pas prokurimit nxirret urdhër blerja dhe bëhet kompletimi i lëndës.

“Pasi bëhet kompletimi i lëndës, ajo vjen tek unë ku më pas e nënshkruaj raportin e pranimit dhe e bëjë evidentimin e lëndës”, tha i akuzuai Avdiu.

Ai ka shtuar se në qoftë se gjatë evidentimit vëren ndonjë parregullsi, lëndën e kthen në Drejtorinë përkatëse, ndërsa ka thënë se në rastin konkret nuk ka pasur parregullsi.

I akuzuari Bekë Hasanaj, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Gëzim Baloku, ka deklaruar se nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi të operatorit ekonomik, dhe as ndonjë ndryshim në çmime të faturave.

Ndërsa, pronari i operatorit ekonomik “Seferi Mont”, i akuzuar Nedi Jusaj, në mbrojtjen e tij ka deklaruar se asnjëherë nuk ka pasur vërejtje lidhur me zbatimin e kontratës të nënshkruar me Komunën e Deçanit.

“Detyra ime ka qenë që automjetet me i pranu në mënyrë të rregullt dhe po në këtë mënyrë me i dorëzuar edhe pse ka pasur makina me kërkesa për ndërrim të pjesëve, të njëjtat janë rregulluar dhe për çdo ndërrim i kam edhe faturat”, tha i akuzuari Jusaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës, gjatë periudhës 9 tetor.2012 deri më 9 tetor 2015, Xhevdet Ramosaj, si menaxher i zyrës prokurimit në Komunën e Deçanit, ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyre që me rastin e lidhjes së kontratës publike për servisimin e automjeteve të komunës në fjalë, Qendrës Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe shkollave, e ka nënshkruar këtë kontratë. E njëjta është dashur të nënshkruhet nga zyrtari më i lartë komunal, në këtë rast kryetari i komunës, e që sipas ligjit konsiderohet kontratë me vlerë të madhe. Me këto veprime Ramosaj pretendohet se i ka shkaktuar kuvendit komunal dëme në vlerë prej 8.706 euro.

Sipas prokurorisë, Ali Avdiu, si zyrtar i pranimit në Komunën e Deçanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare në atë mënyrë që më marrjen e raportit te pranimit të faturave të lëshuara nga operatori ekonomik “Seferi Mont”, nuk i ka kontrolluar dhe krahasuar çmimet e njësive të prezantuara në faturë, nëse përputhen me çmimet që janë ofruar në kontratë. Me këtë rast i njëjti pretendohet se i ka shkaktuar dëm Komunës së Deçanit, në vlerë prej 8.806 euro.

Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe i akuzuari i tretë Bekë Hasanaj, për të cilin pretendohet se i ka shkaktuar dëm kësaj komune, në vlerë prej 8.706 euro.

Kurse, sipas aktakuzës  Nedi Jusaj, në cilësi të drejtorit të operatorit ekonomik “Seferi Mont”, me rastin e lëshimit të faturave për servisimin e veturave zyrtare të Komunës së Deçanit, ka ndryshuar çmimet e artikujve duke mos ju përmbajtur kontratës. Dallimi në çmim është 682 euro, ndërsa në faturimin e faturave, ka përfituar shumën prej 7.394 euro.