Prokuroria e konfirmon se ka nisur hetimet pasi Sami Kurteshi i quajti mediat kriminale e gazetarët “qen”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet në lidhje me rastin që u krijua dje në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, e ku protagonisti kyç ishte anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, i cili ofendoi rëndë gazetarët e pronarët e mediave i quajti “Vrasës me pagesë”. Në lidhje me këtë situatë nga Prokuroria…

Lajme

13/03/2025 15:16

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet në lidhje me rastin që u krijua dje në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, e ku protagonisti kyç ishte anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, i cili ofendoi rëndë gazetarët e pronarët e mediave i quajti “Vrasës me pagesë”.

Në lidhje me këtë situatë nga Prokuroria në Prishtinë kanë bërë të ditur se tashmë ka nisur hetimet.

Ai dje derisa po rinumëroheshin votat në Qendrën e Numërimeve dhe Rezultateve, drejtuar gazetares së lajmi.net Fjollë Hyseni dhe gazetares së Nacionales Besarta Hoti i ka ofenduar në nivel shumë të ulët.

“Qen”, “media kriminale”, “media të vrasësve me pagesë”, janë disa nga akuzat që anëtari i VV-së dhe përfaqësuesi i VV-së në KQZ iu ka bërë mediave.

E nga Prokuroria deklaruan se s’mund të japin detaje shtesë në lidhje me hetimet, pasi që mund të dëmtojnë rastin.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë është në fazën hetimore në lidhje me këtë çështje. Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtojmë rastin”, kanë thënë Prokuroria Themelore në Prishtinë për lajmi.net.

Akuzat dhe ofendimet e tij kanë nxitur reagime të shumta nga emra nga politika si dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK-ja e ka konsideruar këtë deklaratë si të papërgjegjshme dhe të papranueshme, duke theksuar se akuza e tillë ndaj një media është e rrezikshme, pasi cenon lirinë e shtypit dhe mund të rrezikojë sigurinë e gazetarëve.

AGK-ja ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave dhe të mos pengojë punën e gazetarëve.

Sami Kurteshi, përsëri sot ka vazhduar sulmin e tij ndaj mediave duke i quajtur “kriminel” e “vrasës me pagesë”.

“Viktimizimi i kriminelëve të mbështjellur me velon e “gazetarit”, në mesin e tyre të vrasësve me pagesë të dinjitetit njerëzor, është “lot krokodili”. Kriminelët vrastarë të llojit e sojit të tillë, duke u frikësuar nga hija e tyre e përbindëshme vrastare që shohin në pasqyren mëngjesore, rrezikimin e sojit të tyre e pasqyrojnë te të tjerët. Qëllim dhe shpërfaqje e neveritshme, e pështirë kutërbuese”, ka shkruar Kurteshi. 
Ish-avokati i popullit, Sami Kurteshi njihet për gjuhën e tij e cila shpesh herë përmban ofendime, akuza e deri tek fjalët më të rënda të përdorura nga ndonjë zyrtar publik./Lajmi.net/