Prokuroria Badivuku me paratë e ryshfetit po shkonte në pushime
Vaide Badivuku, prokurore e disa rasteve të rënda në Mitrovicë, është arrestuar ndërsa në çantën e saj janë gjetur 5 mijë euro, nga gjithsej 22 mijë sa ajo i kishte marrë ryshfet për një rast që po e hetonte.

Lajme
Pesëmijë euro para të gatshme janë gjendur të dielën në orët e hershme të mëngjesit në çantën e prokurores, Vaide Badivuku, teksa ajo ishte nisur drejt Austrisë me autobus.
Paratë e gjetura në çantën e saj janë pronë e Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Krime Ekonomike, meqë ishin planifikuar ta vërtetojnë gatishmërinë e kësaj prokurore të marrë ryshfet.
Ndërsa Badivuku ato para i kishte marrë nga disa të dyshuar për fajde të cilët në bashkëpunim me Policinë i kishin dhënë para asaj me qëllim që ajo të kërkonte nga Gjykata që nëntë veturat e sekuestruara si prova, t’iu ktheheshin pronarëve.
Pesëmijë eurot e gjetura në çantën e prokurores së Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës janë në mesin e 22 mijë eurove të cilat Policia ua kishte dhënë personave nga të cilët Badivuku kishte kërkuar ryshfet për kthimin e veturave.
Sipas burimeve të gazetës, prokurorja Badivuku ka qenë nën kontroll të plotë nga hetuesia tash e disa javë, ndërsa Prokuroria përmes një komunikate ka konfirmuar se ajo është arrestuar në pikëkalimin kufitar, Merdare, dhe se në çantën e saj janë gjetur 5 mijë euro nga gjithsej 22 mijë euro të pranuara ryshfet.
Burime të gazetës brenda hetuesisë bëjnë me dije se ajo është arrestuar në autobusin e “Zhitija Turist” e cila mban linjë të rregullt për në Austri. Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla.
Ai ka bërë me dije për gaztën se Badivuku deri të premten ka qenë në punë, ditë në të cilën edhe e ka informuar atë, se nga e hëna është në pushim vjetor dhe se do të shkonte te vajza e saj në Austri.
Prokuroria Badivuku edhe kohë më parë është përmendur në një rast të fajdesë.
Gazeta “Zëri” në prill të këtij viti, në kuadër të një serie të shkrimeve mbi dukurinë e fajdesë në Vushtrri, përkatësisht fajdenë nga familja Gërbeshi, e ka përmendur edhe prokuroren Badivuku. /Zëri