Prokurori i EULEX-it: Skandali i pasaportave ka dëmtuar gjithë Kosovën
Sipas Prokurorisë, krimi i Natali Velijajt dhe shtatë të pandehurve tjerë i ka shkaktuar dëme MPB-së së Kosovës rreth 2 milionë euro.

Lajme
Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i EULEX-it ka thënë se palë dëmtuese nuk janë vetëm MPB-ja e kompania austriake OeSD, por i gjithë populli i Kosovës.
“Sa shkolla do të mund të ndërtoheshin me ato e para e sa njerëz të ushqeheshin …..”, ka thënë prokurori i EULEX-it, raporton KTV.
Prokuroria beson se të gjithë të akuzuarit janë fajtorë dhe duhet të dënohen. Pos kësaj, prokurori ka kërkuar edhe konfiskim të pasurisë së të pandehurve.
Shuma e parave që i kanë shkuar Natali Veliajt, nënkontraktuese e MPB-së, është afër 1.5 milion euro. Ato para ajo pastaj i ka shpërndarë te kompanitë, kryesisht ndërtuese, pronarë e menaxherë të të cilave janë të akuzuar në këtë rast. Prokurori ka sqaruar me një fjali këtë raport.
“Natali Veliaj i vjedh paratë, Fisniku i tregon ku duhet t’i dërgojë dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal i pranojnë paratë dhe i fshehin”, ka thënë prokurori para trupit gjykues, transmeton Koha.net.
Fjalën përfundimtare e ka mbështetur edhe përfaqësuesja ligjore e MPB-së, e cila ka thënë se komplet dëmi që i është shkaktuar kësaj ministrie është mbi 2 milionë euro.