Projekti rekrutimi i vajzave, gjakovaret treguan entuziazëm për lojën e futbollit

Për dy ditë radhazi në Gjakovë është organizuar turneu “Ti mund ta bësh – You Can Do It” në kuadër të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin shkollor” që organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatat e Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sportit.

Sport

16/10/2019 20:09

Edhe në Gjakovë morën pjesë ekipe nga 12 shkollat e mesme të ulëta, derisa u shfaqën lojëra interesante dhe entuziazëm i madh nga vajzat e reja për lojën e futbollit.

Në hapje të turneut morën pjesë Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së dhe Zymer Berisha, shef i arsimit në Drejtorinë komunale në Gjakovë. Me këtë rast, Vjollca Krasniqi njoftoi të pranishmit për ecurinë e këtij projekti dhe për shtrirjen e tij më të gjerë nëpër qytetet e Kosovës, me qëllim të përfshirjes të sa më shumë vajzave në lojën e futbollit. “Gjakova është qytet me traditë të madhe dhe çdo herë ka qenë vatër e futbollit.

Tashmë ky qytet e ka klubin e futbollit të femrave, por shpresoj që projektet e tilla si ky që jemi duke e organizuar për të dytin vit radhazi do të nxisin më shumë vajza të reja për ta praktikuar futbollin. Njëherësh i ftoj edhe pedagogët që të punojnë sa më shumë me vajzat dhe ato që kanë prirje për futboll t’i nxisin për t’iu bashkuar shkollave të futbollit”, ka theksuar ndër të tjera Vjollca Krasniqi.

Pas dy ditësh garash në fund fitues i këtij turneu doli ekipi i SHMU “Ahmet Rrustemi”, që në finale e mundi ekipin e SHMU “Gjergj Fishta”. Trofeun ekipit fitues ia ndau menaxherja e futbollit të femrave në FFK, Valbona Gashi-Uka. Për ekipet më të suksesshme u ndanë kupa, derisa për të gjitha ekipet pjesëmarrëse u shpërndanë nga 6 topa futbolli.