Projekti Komunës së Prishtinës për mësim gjithëditor, po paraqet probleme enda pa filluar

Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës, tash vonë ka marrë vendimin që nga shtatori i këtij viti, disa shkolla të kësaj komune të fillojnë zbatimin e pilot-projektit për të mbajtur mësim gjithëditor.

Lajme

27/06/2015 14:19

Fatin për të provuar për herë të parë këtë pilotprojekt kanë tri shkollat e kryeqyteti: Faik Konica, Model dhe Afrim Gashi. Por a do të ketë apo jo sukses zbatimi i saj. Këshilltari politik i ministrit të arsimit, Azem Guri, mendon se kjo strategji do të shkojë mirë, pasi nga ana e tyre është paraparë që shkollat tani më të përzgjedhura kanë kapacitete dhe kushtet të mjaftueshme për zhvillimin e mësimit gjithëditor.

Por, të njëjtën gjë nuk e mendojnë mësimdhënësit e shkollës “Afrim Gashi” të Hajvalisë.

Ata shprehen skeptik që implementimi i këtij plan-projekti do të ketë sukses në shkollën e tyre, pasi që ata nuk i plotësojnë pothuajse asnjë nga kushtet për të mbajtur mësim me orar të zgjatur.

Kushtet elementare të cilat mungojnë në këtë shkollë janë: infrastruktura e shkollës, kuzhina, angazhimi i mësuesve asistent, transporti i nxënësve në natyre e shumë e shumë gjëra të tjera.

Këtë e pohon edhe drejtori i shkollës, Xhevat Rafuna, i cili thotë për KosovaPress se nga të gjitha kushtet që i kërkon ky pilot-projekt, kjo shkollë e plotëson vetëm njërën nga to, e që është mbajtja e mësimit në një ndërrim.

Ai shpreson se do të ketë mbikëqyrje të duhur dhe pret që së shpejti ata së bashku me komunën do të fillojnë përgatitjet në mënyrë që në shtatorë të jenë gati.

Por, mësimdhënësit përveç kushteve thonë se duhet të bëhet edhe trajnimi i tyre, pasi që është hera e parë që do të përballen me një gjë të tillë.

Sipas tyre, është shumë kohë e shkurtër të bëhet një trajnim i tillë, madje edhe të plotësohen kushtet e nevojshme.

Arsimtarja e anglishtes në këtë shkollë, Vjollca Rizani, përveç kushteve thotë për KosovaPress se ata janë njoftuar tepër vonë për këtë gjë dhe kanë informacione shumë të mangëta. Sipas se për një kohë kaq të shkurtër është e pamundur të përgatitën aq sa duhet.

Në anën tjetër, nxënësit e mirëpresin këtë ide dhe thonë se atyre u pëlqen shumë. Elvira Gashi, nxënëse në klasën e tetë të kësaj shkolle, thotë për KosovaPress se tani ata mund të barazohen me vendet perëndimore. Alban Latifi nxënës po ashtu i klasës së tetë, thotë se kjo është një gjë shumë e mirë, pasi që nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në kurse./Kosovapress/