Projekti i Putinit, një foshnjë pa jetë

Disa ekspertë e quajnë fiktiv unionin ekonomik euroaziatik. Të tjerë madje të nevojshëm. Projekti është vënë me pikëpyetje për shkak të krizës në Rusi. Marrëdhëniet mes partnerëve janë të tendosura.

Bota

01/01/2015 19:20

Më 1 janar sipas planifikimeve fillon nga puna unioni euroaziatik (EAWU). Ndryshe nga unioni doganor, nga i cili lindi edhe ai euroaziatik, bashkësia e re nuk përbëhet më nga tre vende, por pesë. Krahas Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit, në këtë union do të aderojnë edhe Armenia dhe Kirgizia. Në maj të vitit 2011, Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani ranë dakord për unionin ekonomik. Edhe puna për marrëveshjen e re filloi në të njëjtin vit.

Por starti i punës së unionit pesësh bie në një kohë të vështirë. Rusia duhet të luftojë me probleme ekonomike. Po ashtu, brenda vetë anëtarëve të unionit ka mosmarrëveshje. Së fundmi vizituan Kievin si presidenti bjellorus, Aleksander Llukashenko, ashtu edhe ai i Kazakistanit, Nursultan Nasarbajev. Të dy u takuan me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, kundërshtari kryesor i Putinit. Ekspertët në këtë vizitë nuk shohin ndonjë sinjal të mirë për Moskën dhe të ardhmen e unionit.

“Situata nuk është inkurajuese. Në këtë fazë të integrimit duhej të kishte arritje pozitive. Por gjithçka është e kthyer me kokën poshtë. Në kohën e fundit ne shohim komplikime në marrëdhëniet e Rusisë me partnerët e saj. Me Bjellorusinë ka grindje për shkak të tranzitit të mallrave, me Kazakistanin për shkak tw furnizimeve me rrymë dhe qymyr drejt Rusisë”, thotë profesori i politikës tregtare në Shkollën e Lartë Ekonomike të Moskës, Alexej Portanski, në bisedë me radion Deutsche Welle, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, edhe pas anëtarësimit të dy anëtarëve të rinj, Kirgizi dhe Armeni, pesha kryesore e barrës së integrimit i bie Rusisë. “Kjo shihet në lëshimet a vazhdueshme dhe ndihmat financiare për Bjellorusinë. Do të vazhdojnë lëshimet edhe për Kirgizinë dhe Armeninë. Çdo anëtarësim në union do të thotë për Moskën më shumë shpenzime.”

“Moska ka nevojë për organizata shumëkombëshe për t’u ndjerë e madhe dhe e fuqishme”, thotë politologu rus, Andrej Piotnkowski. Fqinjët e Rusisë vetëm i kanë shfrytëzuar në vitet e fundit “komplekset imperiale të Moskës”. Llukashenko ka marrë para për projekte të Moskës. Nasarbajev garanci se kufiri kazak nuk do të preket. “Nasarbajev ka trashëguar një konfigurim mjaft të brishtë, po të kujtojmë që pjesa veriore e vendit është e populluar me rusë” sqaron Piontkowski.

Por tani, si Llukashenko ashtu edhe Nasabajev e kanë zbuluar dobësinë e Putinit. Ata i ndjekin sanksionet ruse kundër Putinit dhe shohin se sa e ndjeshme është ekonomia ruse ndaj tyre.

Por, megjithë tensionet EAWU do të fillojë formalisht nga puna më 1 janar. “Do të jetë një foshnje pa jetë, një fiktivitet si Bashkësia e Shteteve të Pavarura (GUS). Në të vërtetë anëtarët nuk duan që Moska të bëjë diçka, apo të luajë rolin e mësuesit”, thotë politologu. Por që ta ndryshosh këtë do të jetë e vështirë.

Vladimir Sharihin, nga Instituti i Moskës GUS, kujton në bisedë me Deutsche Wellen, se unioni euroazitaik nuk duhet të matet vetëm me përfitimin financiar. “Po qe se shikon avantazhet apo disavantazhet e Rusisë thjesht nga ana ekonomike, atëherë dihet që ka vetëm humbje. Por nga pikëpamja gjeopolitike dhe strategjike atëherë ka avantazhe”, thotë Sharihin për DW. Ai është i bindur se unioni euroaziatik do të kthehet një ditë në një “konkurrent për Perëndimin e varfër me energji”.

Por kaq shpejt sa mendohej nuk do të jetë një union konkurrues, mendon Prof. Alexej Portanski. Suksesi i gjithë këtij misioni varet nga tejkalimi i krizës në Rusi. Sa më shumë të mbizotërojnë interesat gjeopolitike para atyre ekonomike, aq më shumë do të zgjasë ngritja e unionit euroaziatik, mendon ai.