Projekti i Madh

Ministri Fadil Ismaili thotë se projekti më i madh për vitin 2014 në fushën e energjetikës do të jetë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”. Kah mesi i këtij viti pritet të arrijnë oferta nga tre konsorciumet e parakualifikuara.

Lajme

05/01/2014 19:10

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismaili, siç raporton RTK, ka treguar se tashmë tri konsorciume edhe me shkrim kanë shprehur interesin për të vazhduar garën për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, por nuk i ka bërë publikë emrat e tyre.

Kërkesa për ofertë, ka njoftuar Ismaili, se do të hapet ndërmjet muajit mars e prill e do të arrijë në fund të qershorit ose në fillim të korrikut.

“Dhe në bazë të një diagrami kohor i cili është miratuar bashkë me këshilltarin e transaksionit ne presim që ofertat të na arrijnë në fund të qershorit, në fillim të korrikut”.

Për Ministrin është jashtëzakonisht e rëndësishme se paketa e “Kosovës së Re” përmban në vete vetëm ndërtimin e Termocentralit.

”Nuk është më aty as ”Kosova B”, as mihja, që ishte elementi kryesor dhe me këtë besoj se jemi pajtuar edhe me shoqërinë civile se nxjerrja e mihjes prek paketës është një kualitet i ri për ne është një mundësi e zhvillimit të mëtejshëm edhe të konkurrencës në segmentin e gjeneratorëve të mundshëm që do të vinë dhe atyre që janë ekzistues”.

Me përfundimin e linjës interkonektive dhe të projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, sipas Ministrit Ismaili, definitivisht sigurohet bazë e mirëfilltë për zhvillim jo vetëm të sektorit të energjisë por edhe të tërheqjes së investimeve të huaja direkte.