Projekti i dyshimtë i Komunës së Prishtinës për të cilin pati edhe të shtëna me armë

Komunës së Prishtinës nuk po i dalin planet për ndërtimin e kolektorit në Kalabri, të cilin e nisi në vitin 2016.

Lajme

26/02/2019 11:09

Për ndërtimin e projektit “Ndërtimi i kolektorit betonarme dhe kanalizimi fekal në rrugën mbi lumin Prishtina”, komuna e Prishtinës  e kontraktoi me 09.08.2016 grupin e operatorëve “Noti Beton” dhe “Ileaa –Gr. & H&Consulting”, me lider kompaninë “Noti Beton”. Vlera e projektit është 2 milionë e 192 mijë euro. Projekti ka ngecur në gjysmën e punimeve të tij, dhe nga viti 2017 nuk është punuar më në të, shkruan lajmi.net.

Xhavit Tullari, pronar i kompanisë NTN “Tullari”, që u nënkontraktua nga kompania “Noti Beton”, po e akuzon kompaninë që e fitoi tenderin “Noti Beton” se e detyrojë të kryejë punët që nuk përputheshin me projektin, konkretisht të shpenzonte më pak material ndërtimor.

Kompania “Tullari” ishte kontraktuar nga “Noti Beton” për të kryer punët e vrazhda, ndërkohë gjatë punimeve kanë pasur mosmarrëveshje ndër veti, gjë që ka quar edhe në prishjen e marrëveshjes. Më pas, kompania lider e udhëheqjes së punëve, kishte kontraktuar disa punëtorë privatë nga Shqipëria. Lajmi.net ka mësuar se ka pasur edhe të shtëna me armë. Burime të njëjta thonë se në punishte kishte shtënë me automatik pronari i kompanisë “Tullari”, Xhavit Tullari. Me këtë rast ka pasur edhe persona të lënduar, por nuk dihet nëse janë si pasojë e të shtënave, apo si pasojë e ngatërrimit të punëtorëve në armatura nga ikja e të shtënave.

Tullari: “Noti Beton” e ngushtoi hapësirën e kolektorit

Xhavit Tullari, pronar i kompanisë NTN “Tullari”  në një bisedë për lajmi.net ka rrëfyer për gjithë këtë proces, për të cilin pretendon se për të mund të zhvillohen hetime.

“Ky projekt është i gjatë prej restorant “Garden” në Kalabri e deri në afërsi të tregut të gjelbër. Pra, rreth 800 metër. Tenderin e patë fituar Noti, ndërkohë kompaninë tonë e ka kontraktuar kunderligjshëm, ngase nuk na ka paraqitur si nënkontraktor kur ka ofertuar për tender. Ne kemi nisur punimet, dhe sipas projektit, hapësira në mes të mureve është dashur të jetë 9 metra e gjerë. Prej tregut të gjelbër e poshtë është punuar 9 metër gjerësia. Kjo ka ndodhur në një gjatësi prej vetëm 50 metrave, ndërsa pjesa tjetër është ngushtuar në 6 metra gjerësia. Pra, bash në mes të projektit, gjatësia është ngushtuar në 6 metra dhe kjo me një gjatësia prej 200 metrave. Kështu i kemi kryer punët me urdhër të inxhinierit të kompanisë Noti”, nisë tregimin Tullari.

Ai thotë se pos ngushtimit, aty nuk është vendosur sasi e materialit ndërtimorë, konform projektit.

“Aty ku ka filluar të ngushtohet, nuk është futur armaturë ashtu siç ka qenë në projekt. Pra, ka qenë fi 18 dhe në disa pjesë ka qenë fi 12, por në pjesën e ngushtë është futur vetëm fi 12, madje është vendosur në një hapësirë më të largët se sa duhet. Në këtë pjesë ka qenë e paraparë që 60 centimetra të vendoset tampon jokoherent, 30 centimetër zhavorr të gurthyesit 0 60- sh dhe betoni i varfër 30 centimetër. Pos një shtrese të vogël të betonit nuk është shtruar asnjëra prej këtyre sasive të parapara. Këto mund të vërtetohen shumë lehtë, vetëm nëse bëhen disa shpime në ato pjesë. Bile nuk ka pasur përgjegjësi as për markë të betonit, apo hekurit”, thotë Tullari.

Ndërkohë, tregon edhe për fillimin e problemeve me kompaninë “Noti beton”, me të cilën e prishi marrëveshjen.

“Problemet me kompaninë “Noti” kanë filluar atëherë kur ka nisur të ngushtohet projekti. Fillimisht, kemi pasur probleme se nuk na kanë sjell zhavorr, ngase kemi punuar nëpër lloç. Ngushtimi i projektit nuk është përputhë me pajisjet e punës. Kemi pasur edhe probleme tjera. Pastaj ka ardhur deri tek ndërprerja e punëve me kompaninë  Noti,  në mënyrën më të keqe të mundshme”, tha ai. Por,nuk ka dashur të flas, se cila ka qenë “mënyrë më e keqe e mundshme” e ndarjes më kompaninë “Noti beton”, por pranon se në punishte ka pasur të shtëna me armë zjarri. “Kjo punë është në gjykatë, dhe nuk kisha dashur të flasë. Po flasë për keqpërdorimin që e ka bërë kompania Noti, e cila akoma nuk mi ka paguar paratë për punën që e kam bërë”, tha Tullari.

Komuna: Tek projekti ka probleme pronësore

Lajmi.net ka disa ditë që ka dërguar pyetje në adresë të Komunës së Prishtinës dhe kompanisë “Noti Beton” për t’u informuar rreth këtij projekti, dhe rreth pretendimeve të kompanisë “Tullari”, por asnjëra palë nuk janë përgjigjur.

Lidhur më këtë projekt, lajmi.net ka mundur të gjejë vetëm një raport të Komunës së Prishtinës, i hartuar nga drejtoria e Investimeve Kapitale, i cili tregon për punët e kryera të këtij projekti.

Sipas këtij raporti, menaxher i projektit është zyrtari komunal, Fatmir Uka.

Punët e realizuara sipas raportit komunal janë: Gërmimi i dheut për kolektorin dhe KF; Mbushja me material guror 0/06 dhe 0/31.5; Kallupimi, armimi, betonimi i pllakave të poshtme, mureve dhe pllakës së sipërme të kolektorit; Kanalizimi fekal –pjesërisht.

Tutje raporti flet për problemet e dala në terren që kanë të bëjnë me çështjen e pronave. “Është njoftuar DIKMK, Drejtoria e Prokurimit, Drejtoria e Pronës, Drejtoria e Inspekcionit dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike për problemet pronësore juridike  (shpronësimet) që po paraqiten gjatë ekzaminimit (aktualisht pengesa është paraqitur te pronari i parcelës nr .1549 -0, ku edhe ekziston një objekt ndërtimi. Për këtë çështje të Drejtoria e Pronës, e Inspekcionit dhe e Shërbimeve Publike, nga DIKMK është përcjell kërkesa për zgjidhje të këtij problemi”, thuhet në raportin e hartuar nga Komuna në dhjetorë të vitit 2018 për projektin e kolektorit, i cili është ndërpre në fund të vitit 2017.

Tutje, sipas këtij raporti, parashihen vonesa edhe për arsyeje tjera. “Parashihen vonesa në objekt për shkak të problemeve pronësore juridike, vërshimeve nga ujërat atmosferike, gypit të sistemit të ujitjes “Ibër Lepenc”, si dhe kushteve tjera të paraqitura nga kanalizimet fekale të shkarkuara në këtë lumë”, thuhet tutje në raportin e komunës.

Në kohën kur ishin ndërpre punimet tek kolektori, ose konkretisht me datë 30.11.2017, Komuna e Prishtinës dhe kompania “Noti Beton” kanë lidhur kontratë për tenderin “Ndërtimi i kanalizimeve fekale dhe atmosferike në territorin e komunës së Prishtinës”, vlera e të cilit është 355 mijë euro. Kjo kontratë nuk është përfunduar akoma, edhe pse plani dinamik ka qenë për 90 ditë pune. Edhe këtu, komuna ka hasur në disa probleme pronësore. M.B /Lajmi.net/