Projekt për ‘kolonizim’ të Kosovës
Të mërkurën, në Varshavë të Polonisë, në një tubim të OSBE-së, përfaqësues të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë do ta prezantojnë projektin “Suncana dolina” (Lugina e diellit), një vendbanim që do të ketë 300 shtëpi.

Lajme
Ky vendbanim do të ndërtohet në veri të Mitrovicës, ndërsa përveç për zgjidhjen e përhershme të problemit të të zhvendosurve nga Kosova, aty do të vendosen edhe refugjatë, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Evropa dhe e gjithë bota. Kështu u ka thënë medieve serbe, Dushan Kozarev, zëvendës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Do ta prezantojmë një model të ri për zgjidhjen e problemit të të zhvendosurve nëpërmes konceptit të vendbanimit ‘Suncana dolina’, e cila do fillojë të ndërtohet në veri të Kosovës dhe në të cilën do të kthehen mbi 1 mijë të zhvendosur. Ky do të jetë model, në bazë të të cilit në krahinën e Kosovës e Metohisë do të kthehen dhjetëra mijë të zhvendosur. Vendbanimi ‘Suncana dolina’ (Lugina e diellit) do t’i ketë 300 shtëpi, gjithë infrastrukturën përcjellëse, të gjitha objektet e kulturës, fesë, ekonomisë, shkollimit, si dhe një vend të sigurt të punës për nga një anëtar të familjeve të kthyera, të cilët aty do ta gjejnë të ardhmen më të mirë”, ka siguruar Kozarev, i cili ka shtuar se projekti “Suncana dolina” mund të shërbejë edhe për zgjidhjen e përhershme të problemit të refugjatëve, jo vetëm në Serbi, por edhe të Evropës dhe të botës, të cilët duan të integrohen.
“Kur kjo bashkësi e të kthyerve prej 1500 njerëzve ta gjallërojë këtë vendbanim (Suncana dolina), do të jetë shembull i mirë për gjithë rajonin, se si mund të krijojmë më shumë vendbanime të tilla dhe t’i sjellim më shumë se dhjetëra mijë njerëz që dëshirojnë të kthehen në Kosovë e Metohi, që të jetojnë me dinjitet dhe atëherë mund të themi se ata janë kthyer atje, prej nga janë dëbuar”, ka shpjeguar Kozarev për mediat serbe. /Zëri