Progres me arsim

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën tha se prioritet primar e ka arsimin cilësor. Ai premtoi përmirësim të gjendjes së institucioneve parashkollore, fillore dhe të mesme.

Lajme

27/09/2013 15:57

Nëse i fiton zgjedhjet e 3 nëntorit në Prishtinë, Kandidati i Vetëvendësjes për Kryetar të Komunës, Shpend Ahmeti, premton se do të sigurojë një shujtë ushqimore për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë, depolitizomim e shkollave, vendosjen e dollapëve nëpër klasë dhe mini- bibliotekave në secilin objekt shkollor.

Ahmeti tha që mbetet shqetësues fakti se si në një komunë me 197 mijë banorë janë vetëm 8 çerdhe publike.

“Ne kemi bërë një plan ku shihet që kërkesa është 10 për qind më e madhe se sa që mund ta përballojnë çerdhet publike. Janë 197 mijë banorë dhe vetëm 8 çerdhe, që nuk mjaftojnë”.

“Lëvizja Vetëvendosje zotohet për një sistem arsimor gjithëpërfshirës, i cili do t’i ofrojë secilit fëmijë qasje të barabartë në arsimin cilësor”.

“Ne synojmë depolitizimin e shkollave, pasi që ne e dimë se drejtorët e shkollave janë zgjedhur nga komuna”.

“Synojmë që ta sigurojmë një shujtë ushqimore falas për të gjithë fëmijët deri në klasën e pestë për shkak të pabarazisë së nxënësve por edhe për shkak të sigurisë”.

Programin parashkollor e shpalosi, kandidatja për kuvendin komunal, Fitore Pacolli. Ajo tha se krijimi i hapësirave parashkollore është urgjente.

“80 përqind e fëmijëve të moshës 0-6 vjeç janë jashtë institucioneve parafillore”.

Vetëvendosja ka menduar edhe për fëmijët me nevoja të veçanta. Komuna e Prishtinës do të sigurojë ndihmës special që këta fëmijë të integrohen sa më lehtë në shoqëri.