Progres i dukshëm në reformat e administratës publike

15:30 | 22 Maj 2019

Sot është mbajtur takimi i Grupit të Veçantë për Reformën në Administratën Publike (GVRAP) midis Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Ku procesi i reformës së administratës publike ishte tema kryesore e diskutimit.

Në këtë takim Komisioni Evropian shprehu vlerësimin pozitiv për progresin e dukshëm të arritur në reformat e administratës publike, sidomos duke iu referuar miratimit nga Kuvendi i Kosovës të tre ligjeve, përkatësisht:Ligjin për Funksionimin dhe Organizimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, që u miratuan në fillim të këtij viti.

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, deklaroi se tre ligjet do të sjellin ndryshime të mëdha në administratën publike, duke përfshirë procedurat për rekrutimin dhe vlerësimin e performancës së nëpunësve civilë.

Ministrinënvizoi rëndësinë e procesit të racionalizimit të agjencive të pavarura, duke u shprehur  se numri i lartë i agjencive të pavarura janë një barrë për buxhetin dhe frenojnë efektivitetin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët.

GVRAP është pjesë e strukturave të koordinimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe shërben si strukturë dialogu midis Qeverisë dhe BE-së dhe monitoron zbatimin e kërkesave të integrimit në BE lidhur me reformat e administratës publike. GVRAP zakonisht mblidhet dy herë në vit dhe nxjerr konkluzione dhe rekomandime. /Lajmi.net/