Programet e partive jashtë realitetit

Partitë politike kanë paraqitur ofertat e tyre bazuar në programe, të cilat i kanë realizuar pa marrë për bazë kërkesat e qytetarëve. Kështu vlerëson njohësi i çështjeve zgjedhore, Leon Malazogu, sipas të cilit, megjithatë kësaj here fushata është më konkrete për dallim nga herët e kaluara. 

Lajme

26/05/2014 18:26

Leon Malazogu nga instituti D4D thotë se programet e partive politike me të cilat synojnë të marrin sa më shumë vota në zgjedhjet e 8 qershorit, nuk janë vullnet i qytetarit.

Ai mendon se programet  duhet ndërtuar mbi bazën e preferencave të qytetarëve, dhe jo të jenë prodhim i ekspertëve.

 “Është një problem se partitë  mendojnë se programet e tyre gjithmonë të jenë prodhime të ekspertëve. Është problematike fakti se ata nuk pyesin anëtarët e vet se çfarë duhet të vënë në program”, ka thënë Malazogu për lajmi.net.

“Kjo është një fatkeqësi sepse nuk janë vetëm çështje ekspertësh programet duhet të shprehin vullnetin e qytetarëve të asaj partie dhe vullnetin e anëtarëve të asaj partie. Tek programet nuk është çështja e ekspertizës por çështja e preferencave”.

“Në njëfarë mënyre po i fshehin programet. Është me rëndësi të thonë që ka program por mesazhet nuk po dalin qartë nga programi, nuk po arrijnë që në mënyrë të thjesht t’ua paraqesin qytetarëve ato pikat kryesore që angazhohen”.

Krijimi i një numri të madh të vendeve të reja të punës, rritja e pagave, shteti ligjor janë pjesë përbërëse e shumicës së programeve të subjekteve politike.

Në këtë kontekst, Malazogu vlerëson se premtimet e mëdha në një farë mënyre po dalin të jenë shaka, megjithëse mendon se ka përmirësime për dallim nga fushatat e kaluara.

“Në qoftëse përmbushen premtimet për gjitha këto vende pune atëherë do të duhej të importojmë fuqi punëtore, por kjo pak tregon se sa jo serioze është fushata”.

“Megjithatë ka shenjë të përmirësimit për dallim nga herët e kaluara fushata është më konkrete, janë më të matshme premtimet”.

“Por sidoqoftë edhe pse janë më të matshme premtimet ato kanë të bëjnë me vetëdijesimin e qytetarëve. Ata më nuk binden me numra dhe me shifra të mëdha”, ka thënë Malazogu për lajmi.net.