Profesorët partiakë ‘të dëmshëm’ për studentët dhe Universitetin

Universiteti i Prishtinës dhe partitë politike tash e sa vite po i marrin e japin njëra-tjetrës punonjës të tyre. Jo pak nga profesorët e UP-së janë të inkuadruar në parti politike, por kjo nuk përbën ndonjë shkelje ligjore. Ajo që përbën shkelje është mungesa në punë dhe imponimi i bindjeve personale në Universitetin Publik.

Lajme

26/05/2014 22:44

Çdo profesor duhet t’i lë jashtë Universitetit Publik bindjet e tij politike, vlerësojnë ekspertët për çështje të arsimit.

Nëse dikush është përcaktuar për karrierë politike, atëherë sigurisht që ose duhet t’i zvogëlojë angazhimet në Universitetin Publik ose duhet t’i ngrijë ato fare, thotë Dukagjin Pupovci.

Ai për lajmi.net thotë se është normale që profesorët të inkuadrohen edhe në politikë, madje deri në atë pikë sa edhe të marrin pozita në Qeveri dhe institucione tjera shtetërore.

“Problemi paraqitet në atë moment kur interesat politike fillojnë të reflektohen në punën e përditshme të profesorit në Universitet. Kjo është një gjë e cila është e patolerueshme”.

Duke folur për mungesat e shumta që bëjnë këta profesorë, si pasojë e aktiviteteve të tyre në politikë, Pupovci e konsideron këtë problem si dobësi të vetë universitetit, ku, sipas tij, pësojnë studentët.

“Kjo është një dobësi e Universitetit, pikërisht e organizimeve të brendshme ose e menaxhmentit në nivele të ndryshme. Nëse dikush është përcaktuar për karrierë politike, atëherë sigurisht që, ose duhet t’i zvogëlojë angazhimet në Universitet ose duhet t’i ngrijë ato fare”.

Pupovci thotë se është e paarsyeshme që profesorët e inkuadruar në politikë të humbin mësimin në Universitet, për shkak të obligimeve të tyre personale. Sipas tij, këta profesorë duhet të hiqen nga lista e pagave ose të sanksionohen.

Edhe Halim Hyseni, njohës i çështjeve të arsimit, thotë se arsimi me politikën duhet ndarë ngase i pari është në interes nacional dhe jo interes partiak.

“Arsimi është interes nacional, i shtetit, jo i partive politike. Por me ligj këta e gëzojnë këtë të drejtë”.

“Orientimi i tyre politik duhet të ndërpritet para hyrjes së tyre në universitete. Nëse ata i bartin orientimet e tyre politike në universitete, pasojat do të jenë tepër të rënda për të ardhmen e universitetit, sepse bëjnë politizime dhe kjo drejtpërdrejt ka ndikim negativ në cilësinë e arsimit”.

Sipas Hysenit, për profesorët të cilët shtrijnë aktivitetin e tyre politik edhe në universitete duhet të bëhet një kod etik me nënshkrimet e të gjithë punonjësve arsimor; për të ndaluar rreptësisht veprime të tilla.

“Duhet që me kod etik, të cilin duhet ta nënshkruajnë t; gjithë anëtarët që punojnë në institucione arsimore,  të përcaktojnë dhe të ndalojnë rreptësisht aktivitetin politik të tyre në institucione. Pastaj çdo angazhim i tyre të konsiderohet si shkelje e kodit etik me pasoja deri te përjashtimi i tyre nga puna”, ka thënë ai për lajmi.net.