Profesioni “Mësimdhënës”

Dukagjin Pupovci thotë se riorganizimi që po bëjnë shkollat në Kosovë, duke kërkuar mësimdhënës me Master për shkollat fillore e të mesme, po e bën mësimdhënien profesion. Sipas tij, ky riorganizm do të sjellë përmirësime në këtë aspekt.

Lajme

19/01/2014 20:45

Ekspert i çështjes së arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, thotë se kërkesa që është bërë para pak ditësh që shkollat fillore dhe të mesme të pranojnë nga tani mësimdhënës me nivel të shkollimit Master është benefit-prurës.

Duke folur për lajmi.net, ai pohon se ky rregull është për ata mësimdhënës të cilët tani kanë diplomuar, ndërsa ata me diploma aktuale mund të mbajnë mësim edhe më tutje.

“Bëhet fjalë për mësimdhënësit e rinj, nuk bëhet fjalë për mësimdhënësit të cilët tani kanë diplomuar. Ata që kanë diplomuar, me diplomat aktuale, ata mund të mbajnë mësim edhe më tutje.”

“Por, këta që tash e tutje dëshirojnë të bëhen mësimdhënës, duke filluar prej këtij viti shkollor, duhet të përfundojnë 3 vjet në një institucion akademik: histori, biologji çkadoqoftë, mandej 2 vjet i kanë trajnim pedagogjik në programin Master në Fakultet të Edukimit. Kështu është riorganizimi”.

Dukagjin Pupovci

Pupovci vlerëson se një gjë e tillë e bën mësimdhënien profesion, që deri më tani kryesisht nuk ka qenë ashtu.

Thotë se nëse ky program mirë-implementohet, pritet përmirësim në këtë aspekt.

“Unë mendoj që ky veprim ka anë të mira, sepse mësimdhënien e bën profesion që deri tani mësimdhënia kryesisht nuk ka qenë profesion, por ka qenë njëra ndër punët që ka mundur ta kryej një i diplomuar nga fakulteti.”

“Nga ana tjetër, fakulteti i ka kushtuar shumë pak kujdes komponentës së mësimdhënies gjatë studimeve. Pra, më tepër janë mbështetur në përmbajtjet akademike dhe njerëzit edhe me përgatitje të mirë akademike kur kanë shkuar në shkollë për të dhënë mësim pastaj kanë dalë mësimdhënës jo të mirë”.

“Prandaj, mendoj se në këtë aspekt mund të priten përmirësime nëse ky program implementohet si duhet”.

Sipas Pupovcit, në vendet e rajonit një gjë e tillë është më ndryshe e strukturuar, ngase atje ka studime Bachelor me kohëzgjatje 4 vjeçare dhe 1 Master, kurse tek ne studimet fillestare janë me 3 vjet.

“Prandaj, këtu duhet të jetë organizimit pak më ndryshe”.

“Në vendet e rajonit kërkohet një gjë e tillë, por studimet janë më ndryshe të strukturuara atje. Shumica e vendeve të rajonit i kanë studimet themelore në kohëzgjatje në 4 vjet, pastaj kanë 1 vit Master. Ndërkaq, këtu tek ne në Kosovë, shumica e programeve të studimit janë programe 3 vjeçare. Prandaj, edhe këtu duhet të jetë organizimi pak më ndryshe”.

“Në vendet e rajonit kjo nuk kërkohet për nivelin e shkollës së mesme të ulët, prej klasës 6 deri 9, mirëpo ne duhet ta kemi të qartë se tash e kemi një kurikul të ri, për të cilin nevojiten disa shkathtësi tjera nga mësimdhënësit që ta realizojnë me sukses”.

Ndryshe, për mësuesit klasor, prej klasave 1 deri 5 mbetet sistemi i vjetër, duhet të kenë 4 vjeçare e jo 5.