Procedohet Projekt-Ligji për kosovarët në luftërat e huaja

Qeveria e Kosovës ka përgatitur Projekt Ligjin që parandalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja. Nevoja për të ka lindur pas fenomenit të shkuarjes së kosovarëve në luftën në Siri. Qeveria procedoi në Kuvend edhe Projekligjin për Pjesëtarët e UÇK'së

Lajme

05/02/2014 13:56

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka paraqitur sot para kabinetit qeveritar projektligjin që ka të bëjë me pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në luftërat e huaja.

Nevoja për një ligj të tillë ka lindur pas fenomenit të shkuarjes së të rinjve kosovarë në luftën civile në Siri.

Nëse miratohet në këtë përmbajtje, kosovarët që marrin pjesë në luftëra të huaja mund të dënohen nga 5 deri në 15 vjet burg.

“Me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare, MPB ka marrë iniciativë për hartimin e projektligjit për përcaktimin e veprës penale të bashkimin apo të pjesëmarrjes në ushtrinë apo policinë e huaj, formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore në organizimet grupore apo individuale në territorin jashtë Kosovës”, ka thënë Ministri Rexhepi.

“Kohët e fundit është vërejtur një trend i rritjes së individëve të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë me qëllim të realizimit të sferave të tyre të interesit, të bashkëngjiten në formë të organizuar apo të pavarur, në kryengritje apo konflikte të ndryshme jashtë vendit, për shuma të caktuar të parave apo privilegjeve të tjera”.

“Kemi konsideruar që është imediate krijimi i kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin për personat të tillë që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme të organizimit joformal paraushtarak apo parapolicor jashtë territorit të Kosovës”.

“Projektligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit në vend dhe jemi dakorduar plotësisht lidhur me dispozitat e këtij ligji”.

“Dënimet e parapara për kryesit e kësaj vepre penale sipas Prokurorit të Shtetit janë adekuate për kryesit e kësaj vepre penale si në kontribuohet në parandalimin e përgjithshme të këtij fenomeni të dëmshëm për vendin tonë”, tha Ministri Rexhepi në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Në këtë mbledhje, qeveria ka miratuar edhe Projekt Ligjin për të Drejtat dhe Beneficionet e ish Pjesëtarëve të UÇK’së, i cili pritet së shpejti t’i kalojë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

“Qëllimi nxjerrjes së këtij ligji është përcaktimi i të drejtave dhe benificioneve të veteranëve të UÇK’së të cilët me angazhimin sakrificën dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ishin faktor vendimtar për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë të qytetarëve të Kosovës”, tha Kryeministri Hashim Thaçi.

“Me ligj përcaktohet ndër të tjera edhe dita e veteranit, realizimi i të drejtës në pension dhe benificione, pensioni personal i veteranit, shtesa në pension të pleqërisë, lartësia e shumës së pensioneve, pensionet e trashëgimtarëve, shuma e pensionit për trashëgimtarët, e drejta në shërbime shëndetësore falas, e drejta e përparësisë në punësim, e drejta e udhëtimit, e drejta në riaftësim profesional lehtësira për veteranët luftëtar të UÇK`së, e drejta e stazhit të dyfishtë, përkujdesja për banim, përparësia e pranimit në institucionet arsimore publike, lirimi nga pagesat administrative në shkollimin universitar publik si dhe vendosja në shtëpitë e personave  të moshuar”.

“Realizimi i të drejtave me benificione të përcaktuara me këtë ligj bëhet për shkak të nderit dhe respektit që gëzojnë në popullin e Kosovës dhe më gjerë për shkak të sakrificës së tyre”, tha Kryeministri Hashim Thaçi duke e arsyetuar këtë iniciativë ligjore.