Probleme të mëdha në LDK – katër kandidatë pa konsensus për të parin e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës më 3 gusht do të zgjedhë kryetarin e ri të saj.

Lajme

17/07/2019 12:32

Kuvendi kryesor zgjedhor i LDK-së vjen pas një periudhe të vështirë në këtë parti, me incidentet dhe përleshje të shpeshta nëpër nëndegët e këtij subjekti, shkruan lajmi.net.

Pretendimet për të parin e LDK-së jo rrallë herë i kanë shfaqur edhe figura që konsiderohen se kanë fuqi të madhe në këtë subjekt, përfshirë Lutfi Hazirin, Gazmend Muhaxhirin e Agim Veliun.

Mirëpo asnjëri nga të lartpërmendurit nuk e ka publikuar kandidaturën e tij për ta sfiduar kryetarin aktual të partisë, Isa Mustafën.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë për lajmi.net se kjo nuk do të bëhet deri në ditën që mbahet Kuvendi Zgjedhor.

“Kandidaturat shpallen vetëm në Kuvendin Zgjedhor”, ka thënë shkurt Mustafa për lajmi.net.

Sidoqoftë, gjasat janë të vështira që LDK-ja të zgjedh një kryetar konsensual pas ndarjeve, përleshjeve dhe përplasjeve.

Sipas njohësit të çështjeve politike, Blerim Burjanit, në LDK janë tashmë katër kandidatë për të parin e partisë.

Ai për lajmi.net thotë se ka pak gjasa që në këtë proces të ketë një kryetar konsensual.

“Gjasat janë të vështira për një kryetar konsensual në këtë subjekt i cili si krejt njerëzit e këtyre subjekteve të tjera në Kosovë, politikisht veprojnë për t’i zgjidhur problemet personale sociale dhe të karrierës. Pra politikën e shohin si shpëtim social. Me rëndësi është që mos të ketë përshkallëzim të dhunës në Kuvendin Qendror. Deri më tash janë katër kandidatë për kryetar, por në Këshillin e Përgjithshëm të këtij subjekti nuk ka konsensus për të fituar ndonjëri prej tyre”, ka thënë Burjani.

Siç shprehet ai, shpëtimin në LDK e konsiderojnë rizgjedhjen e Isa Mustafës në krye të partisë, e që sipas tij do të përbënte më shumë një zgjidhje të konsensusit.

“..përveç që sërish Isa Mustafa të kandidohet dhe të zgjidhet me konsensus dhe të mos ketë përçarje të mëdha, e ndoshta të ndodh sërish ndarja. Ky subjekt po e humb çdo ditë e më shumë cilësinë e anëtarësisë, apo po humb pjesën intelektuale. Pra ky subjekt gjithmonë e ka pasur pikë të dobët komunikimin me botën akademike dhe shoqërinë civile”. Ka thënë ai.

Në fund ai thotë se LDK-së, pas përleshjeve, fyerjeve e sharjeve, i duhet patjetër të gjej një kryetar konsensual që reflekton unitetin e partisë, mirëpo që sipas tij gjasat janë të vogla.

Në qarqe të ndryshme shpesh herë është cilësuar se në LDK mund të përsëritet “Kuvendi i Karrigeve” i vitit 2006, nga i cili doli edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, me kryetar ish-kryetarin e Kuvendit, Nexhat Dacin.

Kjo është mohuar kategorikisht nga zyrtarë të lartë të LDK-së, ndërkaq deputeti i saj, Naser Rugova në një intervistë për lajmi.net ishte shprehur se subjekti ku bën pjesë ai nuk do t’ua jap tjerëve këtë kënaqësi. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

A do të përsëritet ‘Kuvendi i karrigeve’ në LDK? – Ja çfarë thotë Naser Rugova