Probleme me listat e veteranëve, s’përfshihet as komandanti i Brigadës 141

Hysni Ahmeti, ish komandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës, hedhë dyshime për listën e publikuar nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së.

Lajme

10/03/2015 15:53

Sipas tij janë 200 ushtarë të kësaj brigade të anashkaluar nga lista. Për Veriu.info ai thotë se as emri i tij nuk figuron në këtë listë “Mos përfshirja e emrit tim në lista, po e zëmë që është lëshim teknik, mirëpo sa kam mundur t’i kontrolloj listat e publikuara, gati 200 ushtarëve nuk u është publikuar emri, por ka edhe dëshmorë që janë lënë jashtë listave, sikurse edhe invalidë të UÇK-së. Listat para një jave kanë pas me u bë publike, por ato pa ndonjë arsye janë shtyrë nga Komisioni Qeveritar, e që po del tash se ata në Prishtinë dikush kanë ndërhyrë në lista që i kemi dërguar ne si komision i brigadës. Ata para një jave na e kanë dërguar draftin e listës, ku ne pastaj i kemi plotësuar listat, ndërsa këta emra nuk janë publikuar”, ka theksuar Ahmeti.

Kohë më parë një pakënaqësi për listat e publikuara nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, patën shprehur edhe Zona Operative e Llapit dhe ajo e Karadakut.