“Problematikja” e LDK-së – përplasjet e Vjosa Osmanit me nënkryetarët e partisë

Kandidatja për kryeministre nga rradhët e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani pati disa përplasje sot me kolegun e saj partiak, Agim Veliun.

Lajme

14/12/2019 23:00

Gjithçka nisi gjatë ditës së djeshme ku Osmani u fotografua tek shkoi bashkë me kryetarin e VV-së, Albin Kurti të regjistrohej si deputete, shkruan lajmi.net.

Kjo do t’i pengonte nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu që tha se Vjosa Osmani duhet të jap llogari për veprimin e saj, dhe se nuk e besonte se gjithçka në këtë mes ishte rastësi.

Deklarata e Veliut veç sa “nxehi” gjakrat në gjithë këtë përplasje.

Kundërpërgjigja erdhi vetëm pak orë më vonë nga Vjosa Osmani, që tha se për takime të tilla nuk ka nevojë t’i japë llogari Agim Veliut.

Kjo përplasje siç duket ndikoi që kryetari i partisë, Isa Mustafa mos ta ftojë në takimin që mbajti sot me Kurtin dhe të tjerët për arritjen e koalicionit qeverisës.

Në vend të Osmanit, aty shkuan nënkryetarët Agim Veliu e Lutfi Haziri.

E ishte pikërisht ky i fundit me të cilin Vjosa Osmani kishte pasur përplasje të ashpër në të kaluarën.

Debati do të shkonte deri në atë pikë, sa dy protagonistët do të përdornin edhe cilësime për njëri tjetrin, shkruan lajmi.net.

“Nuse e Preshevës”, e quante Haziri, Vjosa Osmanin, teksa thoshte se çuditej me të, se si po shet mend për vota lidhur me çështjen e kufijve.

“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”.

“Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën”.

“Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardh!”, shkruante Haziri në shtator të vitit të kaluar.

Komente të tilla nuk do të mbesnin pa kundërpërgjigje nga Vjosa Osmani. Kjo e fundit thoshte se Hazirit duhet t’i vijë turp që, sipas saj, po bëhet argat i ndarjes së Kosovës.

Madje thoshte se Haziri “s’ka marre e as fytyrë”.

Sidoqoftë, këto dallime u duk se u zbutën kur edhe Haziri e përkrahi Osmanin në kandidaturën e saj për kryeministre.

Ajo që është vërejtur me të madhe kohëve të fundit, është edhe heshtja dhe mosaktivizimi i Vjosa Osmanit në debatet dhe takimet me Vetëvendosjen.

Pikërisht për këtë, në rrugët e Prishtinës ishin shfaqur disa grafite me mbishkrime “Ku është Vjosa”.

Ndërkaq, pikër ngecjeje në bisedimet mes VV-së e LDK-së po vazhdon të jetë posti i presidentit, të cilin partia e Isa Mustafës po e kërkon të jetë si pjesë e marrëveshjes për koalicion. /Lajmi.net/