Privilegjet për Deputetët

Pozita dhe Opozita u bënë bashkë në Komisionin për Legjislacion në përkrahje të Projektligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit. Ai parasheh që Deputetët e të gjitha legjislaturave të gëzojnë pensione dhe privilegje të tjera.

Lajme

17/12/2013 07:12

Kur është fjala për privilegje e tyre, shumica e deputetëve flasin njëzëri. Në këto raste, debati zhvillohet me tona të buta dhe pa përplasje.

Kështu ishte edhe në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të hënën, në të cilën u shqyrtua dhe më pas me shumicë votash u përkrah Projektligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit.

Ky Projektligj parasheh që të gjithë ish-deputetët e të gjitha legjislaturave të gëzojnë pensione për kontributin e tyre.

Deputeti Armend Zemaj tha se pavarësisht dallimeve politike, ky Projektligj duhet të miratohet, sepse kështu është vepruar edhe në vendet tjera.

“Ky Projektligj bëhet për ish-deputetët, është dakorduar që të përfshihen të gjithë ish-deputetët e të gjitha legjislaturave të kaluara”.

“Është e vetmja kategori që nuk ka ligj, janë të vetmit njerëz që nuk përfitojnë asgjë dhe nuk kanë privilegje. Këtë praktikë e kanë bërë edhe vendet e tjera”.

“Fjalimet politike t’i ruajmë për seanca plenare. Unë shoh që këtu kemi dallime, dhe unë dallimet i respektoj”.

Kundër pëmbajtjes së këtij Projektligji ishte Arsim Bajrami. Ani pse partia e tij, PDK, përkrah privilegjet e deputetëve , ai tha se personalisht është kundër, pasi që nuk beson se ish-deputetët nuk duhet të përfitojnë materialisht, përveç një mirënjohje morale.

“Ky ligj duhet të lirohet nga real-socializmi. Nuk ka trashëgimi të privilegjeve”.

“Tendencat e parlamentarizmit modern janë që deputeti të mos marrë asgjë me vete, por të ketë një status moral, pra të marrë mirënjohje për kontribut”.

“Edhe pse partia ime e përkrah, unë kam qenë kundër këtij ligji, për krijimin e privilegjeve, vetëm për shkak të ndërgjegjes”.

Kundër ishte edhe Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendose. Ajo tha se deputetët tashmë janë të privilegjuar.

“Unë jam kundër këtij projektligji”.

“Ne kemi një ekonomi të dobët, paga jonë (e deputetëve) është 7 herë më e lartë se paga mesatare në vend”.

“Ne jemi të privilegjuar, andaj unë jam kundër pensionimit të hershëm dhe kundër privilegjeve të deputetëve”.

Deputeti i AAK’së, Ardian Gjini doli në mbështetje të këtij projektligji.

“Shihet se kemi dallime, dhe dallimi më qenësor është tek pensionimi”.

“Unë mendoj se këtu duhet të marrim thjesht një vendim që ta dërgojmë në seancë plenare”.

“Por, vendimet që ne marrim qofshin ato gabime apo dhe vendime të mira, ne duhet të mësohemi të jetojmë me to”.

“Unë mendoj se ish-deputetët duhet të gëzojnë privilegje për shkak të kontributit të tyre”.

Edhe deputeti Gëzim Kelmendi nga Koalicioni për Kosovë të Re ishte kundër këtë projektbuxheti.

“Unë personalisht jam kundër këtij projektligji, konkretisht nenit 16, 17 dhe 18, nene këto që lidhen me pensionet e deputetëve. Jam kundër sepse ne nuk kemi as sistem të rregulluar për pensionet”.

Pavarësisht kundërshtive, ky projektligj kaloi me 6 vota për dhe 5 kundër dhe do t’i dërgohet Kuvendit për lexim të parë.