Privatizimi i PTK’së mbetet pezull
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që votimi për shitjen e PTK’së të mos bëhet në seancën e së enjtes. PDK thotë se ka kërkuar vetë që kjo pikë të hiqet nga pika e rendit të ditës për seancën e radhës.
Lajme
Privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës nuk do të jetë në rend dite në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, të ndërprerë javën e kaluar në mungesë të kourumit.
Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën është marrë vendim që séance e radhës të mbahet të enjten.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, deklaroi pas mbledhjes, se me kërkesë të tij është hequr nga rendi i ditës votimi i raportit të komisionit qeveritar për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së për shkak të mungesës së deputetëve të koalicionit.
“Sot kam kërkuar të të hiqet nga rendi i ditës pika për PTK’së sepse 20 deputetë ndodhen jashtë vendit”.
Votimi i këtij raporti kishte bërë që për katër herë radhazi seancat të ndërpriten si pasojë e mungesës së kuorumit, pasi koalicioni qeveritar nuk i kishte votat e mjaftueshme në sallë, ndërsa opozita e kishte braktisur atë.
Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi deklaroi se kjo çështje është kontestuese dhe duhet të shikohet në të ardhmen për mënyrën se si do të veprohet.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri ka përmendur mundësinë e krijimit të një komisioni parlamentar që do të hetonte procedurat e shitjes së PTK’së.
“Ka qenë insistimi ynë dhe mbetet akoma që të heqet nga rendi i ditës pika që ka të bëjë me privatizimin e PTK’së. Privatizimin ose tentim privatizimin e paligjshëm, që është tërësisht i kompromentuar, e mund të thuhet edhe i korruptuar”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Visar Ymeri, u shpreh se beson se Komision hetimor shpejt do të bëhet realitet.
“Jemi në konsultime me LDK’në por edhe me deputetët e pakënaqur për të formuar një Komision Hetimor. Do përdorim mjetet procedurale, për të ndaluar këtë proces, nëpërmjet një seance të jashtëzakonshme dhe krijimit të një Komisioni Hetimor”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, deklaroi mbështetje për Komisionin Hetimor për PTK’në.
“Ne do t’i mbështesim kolegët për nismat e tyre. Edhe për Komisionin Hetimor do jemi aty dhe do të votojmë”.