Privatizim Ideologjik
Albin Kurti kërkon që Kuvendi të merret me çështjen e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve. Ndërsa Ardian Gjini kërkon që mos të merren me raste të ndara, pasi që, sipas tij, Kuvendi po e merr rolin e Gjyqësorit. Ai thotë se po frikësohen investitorët.
Lajme
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Kuvendit i takon të merret me çështjen e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve.
Sipas tij, punëtorët e kësaj Fabrike po kërkojnë ndihmën nga Kuvendi, sepse ata kanë humbur besimin në drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare.
“Privatizimi i tillë është bindje ideologjike. Ata që po privatizojnë janë ideologjikë në ndërmarrjen e tyre të eliminimit të ndërmarrjeve shoqërore e publike, e jo ne që po e kundërshtojmë këtë privatizim të cilit nuk po ja shohim as drejtësinë as dobinë”.
“Të gjithë e dimë që gjykatat nuk po merren në përgjithësi me drejtësinë. Sindikata e punëtorëve këtu tregon, se as gjykata, as prokuroria, as faktorët ndërkombëtarë, nuk po e kryejnë detyrën e tyre dhe shpresa e fundit e këtyre sindikatave është Kuvendi i Republikës së Kosovës”.
“Prandaj, këtu e kemi nisur këtë debat. Ndërkaq, të gjithë ata që u thonë bashkëpunëtorëve shkoni në gjykata, ata po e harrojnë një gjë dhe nuk po duan ta kuptojnë një gjë se në atë stacion tashmë kanë qenë punëtorët.
“Ata kanë ardhur tek Kuvendi, sepse institucionet kompetente nuk po funksionojnë dhe Kuvendi është organi më i lartë në Republikën tonë parlamentare. Prandaj është më shumë se legjitime që ne të merremi me këtë çështje”.
Ndërsa Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së , Ardian Gjini, ka thënë se Kuvendi ka të drejtë ta hetojë privatizimin, por jo të ndajë rastet një nga një, sepse, sipas tij, Kuvendi po e mer rolin e gjyqësorit.
“Në shumicën e rasteve të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara, ka probleme. Në shumicën e rasteve ka ndërhyrje. Në shumicën e rasteve mund të themi se privatizimi nuk ka shkuar ashtu siç kemi dëshiruar të shkojë”.
“Kuvendi duhet të japë përgjigje, mund të diskutojmë, por ne kemi disa probleme parimore. Çështja e parë është kjo, pa hyrë në aspekte juridike, nëse Kuvendi ndërton praktikë që zgjedh një ndërmarrje, ta them një grup parlamentar e zgjedh një ndërmarrje sot, një grup tjetër e zgjedh një ndërmarrje nesër, një ditë tjetër e zgjedh tjetër, dhe ne zgjedhim nga një ndërmarrje dhe fillojmë ta hetojmë atë ndërmarrje”.
“Disa probleme na dalin sepse ne lëshohemi në këtë drejtim. Problemi i parë është se i frikësojmë njerëzit të investojnë ose të blejnë”.
“Ne kemi të drejtë ta hetojmë procesin e privatizimit, por nëse i ndajmë rastet nga një nga një atëherë ne e bëjmë gabimin e dytë, Kuvendi nis të marrë rolin e gjyqësorit dhe prapë është problem”, ka deklaruar Ardian Gjini.