Pritjet politike dhe civile nga viti 2014

Sipas raportit nga Institutit D4D, as në vitin 2014 nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave, FSK nuk do të shndërrohet në ushtri dhe nuk pritet të ketë rritje ekonomike. Nëse reforma nuk ndodh në shkurt, zgjedhjet do të mbahen pa të.

Lajme

17/01/2014 16:00

Politikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë janë mbledhur sot në Prishtinë për t’i shprehur pritjet dhe dëshirat e tyre për vitin 2014.

Në një tryezë të organizuar nga “Demokracia për Zhvillim”, me temën “Parashikime dhe Skenare – Kosova dhe Bota më 2014”, përfaqësues politikë  dhe analistë  kanë folur nga kënde të ndryshme për proceset që pritet të ndodhin këtë vit, të cilat janë vendimtare për të ardhmen e vendit.

Studimi i kësaj organizate parasheh që dialogu politik Kosovë-Serbi, zgjedhjet nacionale, reforma zgjedhore,  liberalizimi i vizave  dhe MSA  do të jenë disa nga proceset e rëndësishme që mund ta sfidojnë Kosovën në vitin 2014.

ZëvendësMinistri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se gjatë vitit 2014 pritet të ndodhin procese të rëndësishme në politikën e jashtme të Kosovës.

“Një gjë është e qartë, do të vazhdojë dialogu, edhe pse jo në formatin të cilin e kemi pasur gjatë pjesës së parë të vitit, sepse këtë vit janë zgjedhjet nacionale në Kosovë dhe Serbi. Do të ketë marrëveshje të ardhshme në disa pika që kanë mbetur pa u përfunduar. Por, nuk do të ketë marrëveshje të mëdha. Marrëveshja e re e madhe nuk besoj që do të vijë në vitin 2014”.

“Ajo që është përmendur në dokumentin e BE’së për Serbinë është marrëdhënia kontraktuale në mes të dy shteteve, e kjo do të jetë vetëm kur do të ketë gatishmëri nga të dy palët që Kosova të aplikojë për anëtarësim në OKB”.

“Ndoshta në gjysmën e parë të vitit do të ketë lajme të mira dhe sidomos është me rëndësi që dikush nga pesëshja europiane, sidomos që dy prej shteteve në tandem, do ta njohin Kosovën gjatë 2014”.

“MSA dhe procesin e vizave do ta përfundojmë, por ndoshta jo edhe me shkrimin final të BE’së,  do të aplikojmë në disa organizata përfshirë edhe Këshillin e Europës. Ndërsa viti do të kalojë në shenjë të zgjedhjeve në Kosovë, në Serbi, dhe në Parlamentin Europian që do të kenë implikimet të qarta edhe në dinamikën e proceseve politike në Ballkan”.

Ndërsa deputetja e AAK’së, Donika Kadaj-Bujupi, është shprehur se Kosova do të futet në zgjedhje nacionale pa reformë.

“A do të kemi trazira sociale? Konsideroj që deri në maksimum do të ketë përpjekje që edhe këta katër-pesë muaj  pranvera dhe vera të tejkalohet. Por, duke e ditur që çdoherë e kemi njëfarë prirje gjenetike që marset të jenë të nxehta, mendoj që edhe këtë herë në mars dhe në prill mund të presim protesta më të mëdha nga ana sindikatave të ndryshme dhe sidomos nga ana e veteranëve”.

“Reforma zgjedhore nuk do të ndodhë, sepse nisma e kësaj reforme nuk ka qenë qëllim për të reformuar sistem, por në fakt ka ardhur si përgjigje ndaj moszbatimit të ligjit. Nuk do të ketë reformë, sepse nuk po shihet një vullnet politik që të kemi një sistem ose një palë zgjedhje komplet të pastra”.

Deputeti nga radhët e LDK’së, Muhamet Mustafa, pret që të ketë zgjedhje të suksesshme edhe në ato nacionale.

“Së pari, mendoj që kishte qenë mirë që të vazhdojmë me zgjedhje relativisht të mira lokale që i kishim. Kosova ka shanse që të ketë zgjedhje relativisht të mira në nivelin nacional. Skenar tjetër është edhe forcimi i rolit të Kuvendit. Unë dëshiroj që Kuvendi të vazhdojë dhe të mos jetë i orkestruar edhe më tutje në vota, siç ka qenë më herët”.

“Çështjet tjera rreth Kuvendit natyrisht që do të kemi probleme, por ndoshta që është mirë që të krijohet një kulturë që të mësohemi të krijojmë një konsensus bazik në shoqëri. Problem tjetër do të jetë formimi i koalicioneve. Besojmë se nuk do të ketë rritje 50% të pagave por ndonjë rritje incidentale mund të ndodhë”.

Leon Malazogu, i cili ka prezantuar punimin, pret që në këtë vit të ndodhin ndryshime të mëdha në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve nacionale.

“Të njëjtën kohë kemi paraparë pakënaqësi, por nga pakënaqësitë nuk do të përfitojnë asnjëra nga partitë, mund të përfitojnë sikur në zgjedhjet lokale. Përfitues do të jenë individët e ndryshëm, por çdo parti do ta ketë vështirë që ta kapitalizojë nga ajo ndjenja e revoltës dhe pakënaqësisë që kemi. Do të thotë se vota do të hidhet kundër elitës politike, por do të fitojnë vetëm të rinjtë.”

“Çfarë mendojmë, e ndoshta është rrezik të parashikojmë, por shumë emra të mëdhenj do të bien nga Kuvendi, jo pse partitë do t’i heqin, por votuesit nuk do t’ votojnë”.

Ndërsa gazetari Arben Ahmeti e ka parë si kërcënuese për zgjedhjet nacionale Listën “Srpska”.

“Nëse me këtë trend të rezultateve në zgjedhjet lokale, Lista ‘Srpska’ i ka marrë 10 komuna, nëse këtë rezultat e përsërisin në zgjedhjet nacionale dhe me ulëset e garantuara, i bie që lista ‘Srpska’ do të jetë partia e dytë ose e tretë në Kuvend të Kosovës. Në një situatë të tillë, lind nevoja për një koalicion të gjerë dhe një koalicion shqiptaro-serb definitivisht do ta çonte Kosovën drejt një defunksionalizimi”.

Studimi i Institutit D4D thotë se do të ketë figura të reja në Kuvend pas zgjedhjeve nacionale dhe parasheh që në vitin 2014 funksionalizimi i Asociacionit të Komunave Serbe do ta presë fundin e vitit. Në aspektin ekonomik, nuk pritet të ketë rritje, FSK nuk do të shndërrohet në ushtri, e as liberalizimi i vizave nuk pritet të ndodhë.