Pritjet e partive nga reforma zgjedhore
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të interesuar që reforma zgjedhore të përfundojë sa më shpejt që është e mundur. Ata kishin vërejtje me raportin e Komisioni ad hoc për Reformë Zgjedhore. Për reformë kërkojnë konsensus ndërpartiak.
Lajme
Disa nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend kanë shprehur pritjet e tyre nga reforma zgjedhore, e cila sot i është transferuar Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe që pritet të përmbyllet gjatë muajit ët ardhshëm.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri tha se subjekti i tij është përkrahës i reformës zgjedhore. Ai tha se ata do të dërgojnë propozimet e tyre për reformë, tash në Komisionin për Legjislacion.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet fuqishëm në reformën zgjedhore në kuptimin e përkrahjes dhe kontributit të saj që kjo reformë të bëhet”.
“Në këtë rast edhe në këtë kontekst duhet të nxirret edhe projektligji i ri për zgjedhjet”.
“Jemi që kjo punë të bëhet sa më shpejt që është e mundur duke mos e dëmtuar edhe kualitetin por po ashtu nuk mund të mbetemi peng e kësaj reforme duke arsyetuar që nuk po bëhet reforma dhe zgjedhjet po varën nga kjo reformë zgjedhore”.
“Procesi zgjedhor sipas Koalicionit për Kosovë të Re duhet të jetë proces i përgatitur në mënyrë të rregullt edhe çështja e mbajtjes së zgjedhjeve në formë të rregullt dhe më të përshtatshme të zgjedhjeve të nivelit zgjedhor apo parlamentar do të jetë një imazh i mirë për Kosovën për miqtë tanë që janë duke na përcjellë në proceset që po kalon Kosova”.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se subjekti i saj ka propozime konkrete për reformën zgjedhore. Ajo tha se raporti i Komisioni ad hoc është manipulim eklatant sepse përmban të pavërteta.
“Ky raport përmban të pavërteta, dhe ky është manipulim eklatant, për të cilën deputeti Haliti do të duhej të përmbante përgjegjësi morale dhe politike”.
“Ne jemi për një zonë zgjedhore dhe lista të hapura që mundësojnë votimin preferencial, pra ku përveç subjektit politik, votuesit të kenë mundësinë t’i zgjedhin pesë kandidatë brenda listës. Ne jemi që pragu zgjedhorë të jetë 7.5 për koalicionet, 5 për subjektet politike dhe 2.5 për kandidatët e pavarur. Ne jemi për një balancë të KQZ-së, ku 50 për qind përbëhet nga pozita dhe 50 përqind nga opozita. Ne jemi që lista e votuesve të jetë e pastruar”.
Ardian Gjini nga AAK tha se reforma duhet të kryhet sa më shpejt që është e mundur, sepse ai është i interesuar që të ndodh reforma e vërtetë.
“Komisioni për Legjislacion në një kohë sa më të shkurtë që të jetë e mundshme, një afat sa më të shkurtë që të jetë i mundshëm, ta kryej këtë punë dhe këto fjalë që po themi se jemi jetikisht të interesuar të ndodhë reforma, të ndodhë me të vërtetë, ta bëjmë me të vërtetë”.
Shefja e grupit parlamentar për Kosovë të Re, Myzejene Selmani, tha se me një konsensus të partive politike reforma mund të kryhet shpejt.
Ajo tha se procesi i zgjedhje duhet të jetë i rregullt që të krijojë një imazh të mirë për Kosovën.
“Nëse duam të flasim për reformë zgjedhore atëherë mund të themi se për këtë duhet të flasin liderët e partive politike për një konsensus ndërpartiak që sa më shpejt të përfundojë kjo reformë zgjedhore apo të përfundon ky ligj i zgjedhjeve ku sipas të gjitha gjasave ky komision ad-hoc i ka kaluar mandati dhe kompetencat për përfundimin e këtij ligji apo draft ligji të kalojnë tek komisioni për legjislacion”.