Pritje të gjata në kufi me Serbinë

Mërgimtarët që po kthehen në shtetet ku punojnë, po përballen me pritje të gjata në kufi me Serbinë, sidomos në pikat kufitare Merdar dhe Dheu i Bardhë. Policia u sugjeron atyre t’i përdorin edhe pikat tjera kufitare.

Lajme

05/01/2014 13:24

Policia e Kosovës ka njoftuar se në disa pikë kalime kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë janë krijuar kolona me pritje të gjata.

Departamenti i Policisë Kufitare bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë krijuar kolona dhe pritje të gjata në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë në pikëkalimet kufitare Merdar, Dheu i Bardhë dhe Mutivodë, raporton Kosovapress.

Pritjet më të theksuara janë kryesisht në  dalje të pikë kalimeve kufitare Merdar dhe Dheu i Bardhë, ku kolonat janë të gjata diku nga 1-2 kilometra dhe pritjet zgjasin nga 2 deri në 4 orë.

Ndërsa sa i përket pikë kalimit kufitarë në Mutivodë, në dalje pritjet janë të shkurtra në kohëzgjatje normale prej 10-20 minutave.

Kohëzgjatja e pritjeve në pikë kalime kufitare po ndryshon varësisht prej frekuentimit të automjeteve, frekuentim ky i cili gjatë vikendit është më i theksuar dhe kjo kryesisht ka ndikuar në krijimin e pritjeve.

“Policia e Kosovës me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shkurtimit të pritjeve të gjata, me kohë ka shtuar numrin e zyrtarëve policor nëpër këto pikë kalime kufitare, ku është duke punuar me intensitet të shtuar, duke shtuar edhe korsi shtesë të kontrollit kufitar”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.

Policia njofton dhe sugjeron të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikë kalimet tjera kufitare, ku ka më pak pritje me qëllim të shmangies së pritjeve të gjata në kolona të krijuara në këto pikë kalim kufitare.