Pritet ngritja e Aktakuzës për Grupin e Drenicës
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se Aktakuza kundër \"Grupit të Drenicës\" mund të ngritet gjatë ditës së premte. Aty, siç mësohet, akuzohen për vrasje Sami Lushtaku, Sabit Geci dhe Sahit Jashari. Të tjerët, akuzohen për vepra të torturës.

Lajme
Prokurori i EULEX’it, Marizio Salustro, pritet që së shpejti të ngrisë Aktakuzë kundër ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Sylejman Selimit dhe ish bashkëluftëtarëve të tij të tjerë, të njohur si “Grupi i Drenicës”.
Të dyshuarit e “Grupit të Drenicës” akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile që supozohet se kanë ndodhur në burgun e Likovcit gjatë verës 1998. Po ashtu, dyshohen edhe për vepra të torturës dhe vrasjes së civilëve.
Ndër të akuzuarit janë: Sylejman Selimi, Ambasador i Kosovës në Shqipëri, Sami Lushtaku, Kryetar i Skenderajt, Nexhat Demaku, Kryetar i Drenasit, Fadil Demaku, Deputet i Kuvendit të Kosovës, Sabit Geci, dhe ish-pjesëtar tjerë të UÇK’së.
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se aktakuza mund të ngritet gjatë ditës së premte.
Në Aktakuzë, siç mësohet, akuzohen për vrasje Sami Lushtaku, Sabit Geci dhe Sahit Jashari. Të tjerët ndërkaq, akuzohen per vepra të torturës.
Në një intervistë të para disa javëve për lajmi.net, Avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi i ka konsideruar joligjore dhe fyese pretendimet e ngritura nga Prokurori Salustro, mbi bazën e të cilave ai kishte kërkuar vazhdimin e paraburgimit dhe ngritjen e Aktakuzës.