Priten edhe katër arrestime në Veri

Edhe katër arrestime tjera të ish pjesëtarëve të MUP’it në Veri të Kosovës pritet të ndodhin, raportojnë mediat serbe. Vesti ka siguruar një listë të të dyshuarve ku gjenden 40 serbë të Veriut.

Lajme

07/02/2014 16:25

Sipas informatave të cilat rrjedhin nga Misioni i EULEX’it dhe Policia e Kosovës, pritet arrestimi edhe i katër personave publikë të komunitetit serb në Veri të Kosovës.

Sipas portalit serb Vesti-online, thuhet se në cak të arrestimeve janë ish funksionarë të policisë serbe, politikanë të cilët ngarkohen me akuza të ngjashme me të Oliver Ivanovic’it dhe Dragoljub Delibasic.

Thuhet se ekziston një listë në të cilën gjenden emrat e 40 serbëve.

ZëvendësKryeministri i Kosovës dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës se do të ketë proces gjyqësor për të gjithë të ashtuquajturit Rojtarët e Urës.

Një burim i Vesti në Veri të Kosovës ka bërë të ditur se faza e parë e arrestimeve ka të bëjë me personat që kanë bërë krime gjatë vitit 1999 dhe 2000, e më pas do të arrestohen të dyshuarit për krim të organizuar.

“Së pari do të arrestohen personat e akuzuar për krime gjatë vitit 1999 dhe 2000, pastaj të dyshuarit për krim të organizuar, më pas personat që i kishin vënë zjarrin pikave kufitare, dhe në fund do të arrestohen ata persona që kanë marrë në duar pushtetin në Veri dhe të gjithë ata që janë në listë të dyshuar për krime lufte”, shkruan Vesti, duke iu referuar burimeve.