Prishtinës i largohen dy futbollistë, nuk pranojnë ofertat

Skuadra e Prishtinës ka ndarë rrugët me dy lojtarë; Arbër Hoxha dhe Mergim Pefqeli.

Sport

14/06/2019 22:27

Prishtina u ofroi të dy lojtarëve vazhdim kontrate, por asnjëri nuk pranoi të vazhdonte, pasi këtë edicion nuk gëzuan hapësirat e duhura.

Pefqeli ishte prej të preferuarve të tifozërisë “Plisat”, pasi në disa ndeshje bëri heroin, duke shënuar në minutat e fundit.

Gjithsesi, duket se lojtari nuk ka preferuar të jetë vetëm zëvendësues, duke kërkuar një aventurë të re, ku do të gëzojë më shumë hapësira.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell njoftimin e plotë të faqes zyrtare të Prishtinës, për largimin e dy lojtarëve.

Pefqeli e Hoxha nuk pranojnë ofertat

Klubi falënderon të larguarit

Prishtinë, 14 qershor 2019 – Mergim Pefqeli dhe Arbër Hoxha nuk kanë pranuar ofertat nga klubi dhe kanë vendosur të largohen.

Ndërsa, Marjo Morina, Jamal Arago, Alen Jasharoski iu është skaduar kontrata dhe janë futbollistë të lirë. Kastriot Selmani edhe pse kishte kontratë edhe për gjashtë muaj, Prishtina e ka liruar me kërkesën e tij.

Pefqeli, sulmuesi i krahut 25 vjeç, është fëmijë i Shkollës së futbollit të FC Prishtina dhe 3 vitet me fanellën e parë ka regjistruar 83 paraqitje (27 zëvendësuar/41 zëvendësues), 11 gola dhe 2 asistime.

Hoxha, sulmuesi i krahut, 20 vjeç, me Prishtinën në 3 edicione ka regjistruar 50 paraqitje (11 zëvendësuar/31 zëvendësues), 5 gola dhe 4 asistime.

Morina, sulmuesi 26 vjeç, gjatë një viti qëndrim ka regjistruar 30 paraqitje (14/9), 8 gola dhe 3 asistime.

Arago, futbollisti i disa pozitave, 25 vjeç, gjatë një viti e gjysmë qëndrim, ka regjistruar 57 ndeshje (15/6), 1 gol dhe 7 asistime.

Jasharoski, sulmuesi 27 vjeç, me Prishtinën për një edicion ka regjistruar 21 paraqitje (8/13).

Selmani, sulmuesi i krahut, 19 vjeç, është futbollist i Shkollës së futbollit të FC Prishtina, por nuk ka asnjë paraqitje zyrtare me ekipin e parë, ndërsa në gjashtë muajt e fundit ishte huazim në Vushtrri.

FC Prishtina falënderon të gjithë këta futbollistë duke mos ua harruar kontributin e dhënë për klub dhe të gjithëve u uron sukses në vazhdim të karrierës. /Lajmi.net/