Prishtina voton
Qytetarët e Prishtinës kanë shfytëzuar minutat e parë të hapjes së qendrave të votimit për të votuar kandidatin e tyre të preferuar për Kryetar të Kryeqytetit, në garën e fortë mes Isa Mustafës së LDK’së dhe Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes.

Lajme
Gara e fortë mes Isa Mustafës së LDK’së dhe Shpend Ahmetit të Vetëvendosjes do të marrë epilog sot.
Qytetarët e Prishtinës kanë shfaqur interesim të madh për të dalë në votime, duke e bërë edhe më të zjarrtë garën për Kryetarin e ardhshëm të Kryeqytetit.
Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe qysh në mëngjes është vërejtur një interesim i mirë i qytetarëve për të votuar, të cilët presin që këto zgjedhje të prodhojnë zgjidhje për problemet e tyre.
Menaxheri i Qendrës së Votimit 1912, në Sallën e Sporteve 1 Tetori, Liridon Morina njofton se procesi i votimit në këtë qendër po shkon mirë dhe pa probleme.
“I gjithë procesi si duket do të shkojë mirë, materialet kanë ardhur me kohë e po ashtu edhe komisionarët”.
“Gjithashtu puna ka filluar me kohë dhe kemi edhe votuesit e parë”.
Shumica nga qytetarët e intervistuar pas votimit kanë thënë se presin që të rregullohet furnizimi me ujë, të zgjidhen problemet me transportin urban, ndërtimet pa leje, qerdhet për fëmijë etj.
Visar Kastrati ishte votues i parë në sallën 1 Tetori. Ai thotë se pret që së pari zgjedhjet ët jenë fer, të lira dhe demokratike.
“Të jetë një proces i rregullt zgjedhor ashtu si procesi paraprak. Jemi në balotazh dhe uroj të mos ketë ndonjë prolongim dhe fituesi të përcaktohet mbi bazën e vullnetit të qytetarëve të Prishtinës”.
Edhe në Shkollën Fillore “Nami Frashëri”, vendvotimet janë hapur me kohë.
Drejtoresha e shkollës, Drita Hyseni thotë se gjithçka është shkuar si duhet.
“Në shkollën tonë janë dy qendra votimi me nëntë vendvotime, dhe të gjitha janë hapur në orën 07:00 dhe kemi edhe votuesit e parë që kanë ardhur posa janë hapur votimet”.
Qytetari i parë që votoi në këtë qendër ishte Jeton Latifi, i cili shpreson se që procesi i votimit të shkojë në rregull, pa probleme, pa tendenca për manipulime dhe keqpërdorime.
“Do t’i japim besimin tonë kandidatit i cili besojmë se do të angazhohet me tepër për ne”.
Jeta Statovci ishte një votuese tjetër në këtë qendër votimi.
“Sapo përfundova procesin e votimit. Po me vjen mirë që po shoh një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që po marrin pjesë në këto votime dhe që kanë vendosur që të kryejnë obligimin e tyre si qytetarë të Prishtinës”.
“Shpresoj të fitojë më i miri\”.
\”Ka vullnetin për të përmbushur vullnetin e qytetarit dhe të mirës së këtij vendi”.
(Kosovapress, lajmi.net)