Prishtina synon të vjelë gjithë borxhin nga tatimi në pronë brenda dy vitesh

Me shkurtimet buxhetore nga qeveria për shkak të numrit të banorëve, Komuna e Prishtinës ka plan të rrisë buxhetin nga të hyrat vetjake. E në fokus ka tatimin në pronë.

Lajme

26/09/2014 21:41

Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu ka thënë në emisionin “038” në KTV se qytetarët i kanë borxh komunës 35 milionë euro të cilat me rregulloren për tatimin në pronë do të vjelën në dy vitet e ardhshme. Sejdiu ka thënë se përveç kësaj ajo që rrit buxhetin është edhe mënyra e re e parkingjeve që fillon këtë vjeshtë.

Këtë plan e sheh si ambicioz kryesuesi i kuvendit që vjen nga LDK, Halim Halimi, por Sejdiu është i bindur se me këtë model të përdorur edhe në qytete tjera do të kenë sukses.

Projektet kryesore për vitin e ardhshëm përveç parkingjeve mbesin autobusët e rinj, ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve dhe rrugëve si dhe trajtimi i qenve endacakë.

E derisa kanë akuzuar LDK-në se për shpronësime kanë ndarë 3 milion euro edhe qeverisja Ahmeti për vitin tjetër ka planifikuar vetëm 3 milion euro për shpronësim pronash.