Prishtina, si dje, si sot!

Ka kaluar më shumë se një vit qëkur kryeqyteti nuk është më bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prej dhjetorit të vitit 2013 kryeqendra qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje. Por, me gjithë premtimet e mëdha të kësaj partie, entuziazmin dhe pritjet e qytetarëve, Prishtina s’ka ndryshuar. Gjurmët e keqqeverisjes nga Isa Mustafa mbeten të pashlyeshme, derisa shpresat e prishtinasve te pasardhësi i tij, Shpend Ahmeti, po zbehen përditë.

Lajme

13/03/2015 17:04

Kaosi urbanistik i trashëguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila qeverisi kryeqytetin për më shumë se një dekadë, vazhdon të mbetet pasqyrë e keqqeverisjes së pasluftës në tërë vendin.

Qytetarët, të marrë peng nga pushtetarët e korruptuar, të papërgjegjshëm dhe të paaftë për të zbatuar rendin dhe ligjin, përveç mungesës së mirëqenies dhe kushteve elementare për jetesë, rritjes së varfërisë dhe papunësisë, vazhdojnë të kenë vështirësi edhe kur lëvizin rrugëve të kryeqendrës.

Rruga në lagjen “Mati 1” paraqet rrezik për mijëra banorë që kalojnë çdo ditë nëpër të. Veturat dhe këmbësorët lëvizin nëpër të njëjtin “shteg” të quajtur rrugë, që kalon përmes rrokaqiejve, “de jure” të ndërtuar pa leje, por “de fakto” me bekimin e ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa dhe paraardhësve të tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që qeverisen Prishtinën prej pasluftës.

“Qytetarët kur kalojnë nëpër këtë rrugë rrezikohen nga “qielli”, rënia e shtyllave të kalbura dhe këputja e kabllove elektrike, që askujt nuk i shkoi nëpër mend t’i fusë nën tokë kur u dha tenderi për ndërtimin e saj”, thotë Sevdije Gashi, një juriste e diplomuar para dhjetë vjetësh, e pa punësuar, por më shumë e shqetësuar për rrezikun e djalit të saj derisa shkon e kthehet nga shkolla, nëpër këtë rrugë.

“Poshtë, në tokë, qytetarët rrezikojnë njëri-tjetrin, pasi rruga nuk ka trotuare, sepse menaxherët komunalë të asaj kohe e kishin mendjen te tenderët e rinj për të kryer punët e mbetura, jo te rreziku i jetëve të qytetarëve”, thotë Gashi, e cila fëmijën e saj dhjetë vjeç e dërgon dhe e merr në shkollë për çdo ditë.

Rruga në Lagjen “Mati 1”, pa trotuar
Rruga në Lagjen “Mati 1”, pa trotuar

 

Kështu, keqqeverisja, pafuqia për të ndaluar kaosin urbanistik të kompanive ndërtimore ku politikanë nga të gjitha partitë shpërlajnë paratë e tyre të pista, bëri që në mungesë të dorëheqjes, në mungesë të sundimit të ligjit, kryeministri aktual, Isa Mustafa, asokohe kryetar i Prishtinës, të ndëshkohet me votë nga qytetarët.

Prishtinasit, të pakënaqur, të nëpërkëmbur dhe aspak krenar me qytetin e tyre gjatë qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, votuan Shpend Ahmetin (më shumë se partinë e tij, Vetëvendosje), me shpresë se kryetari i ri do të ketë guximin të bëjë ndryshime, të dëgjojë ankesat dhe të bashkëqeverisë me qytetarët.

“E vetmja gjë e mirë, edhe pse kanë mbetur mijëra të papunë, është se janë ndalur ndërtimet pa leje dhe janë rrënuar shkallët e disa lokaleve. Por deri më tani, asnjë nga rrokaqiejt e ndërtuar, jo vetëm në Mat, por në secilën lagje tjetër të Prishtinës, nuk është rrënuar dhe nuk është ndëshkuar askush prej ‘pronarëve anonim’ të këtyre objekteve”, thotë një banore tjetër, që nuk preferon t’i publikohet emri, pasi nga kolegët ku punon njihet si aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje.

Rrokaqiejt që gufuan si kërpudhat njëra pran tjetrës gjatë qeverisjes së Lidhjes Demokratike, ku tek disa nuk ka qasje as ambulanca e ndihmës së shpejtë (Lagjja e Muhaxhirëve), pritet të legalizohen në muajt në vazhdim nga Vetëvendosje, por nuk dihet se kur do të jepen lejet për ndërtim të ndërtesave të reja sipas kritereve urbanistike.

Për Prishtinën e Re nuk flet askush! Që prej largimit të Isa Mustafës nga posti i kryetarit të Prishtinës, pasardhësi i tij, Shpend Ahmeti, nuk ka plotësuar as për së afërmi pritjet që prishtinasit kishin atë ditë që i dhanë votën për “major”. Ka kaluar më shumë se një vit, Prishtina nuk ka ndryshuar, është ende ajo, e “Isa Mustafës”.