Prishtina po kërkon që Tribunali të përbëhet nga dy dhoma

Sipas të gjitha gjasave, të martën në Kosovë do të vijë Clint Williamson, prokurori amerikan, i cili po heton akuzat që u publikuan nga ish-senatori zviceran, Dick Marty

Lajme

11/03/2014 07:12

Gazeta “Zëri” sjell versionet më të mundshme të krijimit të tribunalit që do të hetonte akuzat e mundshme kundër UÇK’së.

Sipas kësaj gazete, Prishtina është pajtuar që nuk ka më asnjë mundësi ta kundërshtojë krijimin e tribunalit, i cili do të gjykojë krimet e mundshme të UÇK’së.

E gjithë lufta tani po bëhet që ky tribunal të përbëhet nga dy dhoma, njëra e vendosur në Kosovë dhe tjetra në një shtet tjetër, mëson gazeta “Zëri”, siç thotë ajo, nga burime vendore e ndërkombëtare.

Dhoma e vendosur në Kosovë është kërkuar nga autoritetet kosovare që të merret me të dyshuarit se kanë kryer krime, ndërsa dhoma e veçantë e vendosur jashtë Kosovës do të merret ekskluzivisht me dëshmitarët e mbrojtur.

Në fakt, Prishtina është pajtuar për krijimin e një dhome të veçantë jashtë Kosovës pasi e dinë që ankesa më e shpeshtë e faktorit ndërkombëtar që dëgjohet në raport me Kosovën është dështimi për të mbrojtur dëshmitarët.

“Duke e pasur parasysh që bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të ditur që dëshmitarët e mbrojtur asnjëherë nuk kanë qenë të sigurt në Kosovë, atëherë ne kemi dalë me propozimin që ky tribunal të ketë një dhomë të veçantë jashtë Kosovës dhe i cili do të merret kryekëput me dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur”, ka thënë një zyrtar i lartë qeveritar i Kosovës në kushte anonimiteti.