Prishtina për gjysmë viti ka arkëtuar 425 mijë euro nga gjobat në trafik

Komuna e Prishtinës ka tejkaluar planifikimet që kishte nga të hyrat e gjobave në trafik. 

Lajme

09/08/2014 20:40

Për tërë vitin, komuna ka paraparë të marrë 650 mijë euro, derisa vetëm deri në korrik mori 425 mijë euro apo 65%. 

Visar Berisha, drejtor i financave ka thënë se vetëm në muajin maj komuna mori më shumë se 100 mijë euro, për shkak se ishte java e sigurisë dhe në këtë muaj policia filloi me konfiskim dokumentesh deri në pagesë të gjobës. 

Sipas tij, ideja nuk është për të rritur buxhetin por për të shtuar masat e sigurisë. 

Milaim Fejzullahu nga Policia e Kosovës ka thënë se konfiskimi i dokumenteve e ka pasur efektin e vetë ngase tashmë ka rënë numri i aksidenteve në trafik. 

Qytetarët kanë thënë se nëse buxheti komunal ka mbetur në këto të hyra komunat është më mirë të mbyllen. 

Policia thotë se do të vazhdojë duke mos falur askënd që thyen rregullat, derisa në komunë thonë se nëse kjo ndodh, ata do të vjelin 800 mijë euro apo diku rreth 120% nga planifikimi, raporton KTV.