Prishtina, një kaos i madh trafiku

Kryeqyteti i Kosovës që nga fillimi i sezonit veror ngjan në një kaos të vërtet nga numri i madh i veturave që çdo ditë frekuentojnë atë.

Lajme

08/08/2015 15:03

Parkimet e veturave vend e pavend, zënia e trotuareve nga veturat, renovimet e disa rrugëve kryesore në Prishtinë, si dhe pjesëmarrja në komunikacion e automjeteve me tabela të huaja, e që u përkasin bashkatdhetarëve tanë, sipas zyrtarëve policorë por edhe komunalë, kanë ndikuar në këtë kaos.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu në një prononcim për KosovaPress tha se tollovia e krijuar në qytet si pasojë e gropave si dhe parkingjeve vend e pavend, do të fillojë të mënjanohet, por se sezoni veror është koha kur kryhen punime infrastrukturore.

Mullafazliu mes tjerash përmend edhe shifrën prej 18 milionë eurove që Drejtoria e Infrastrukturës ka zotuar t’i ndajë si pjesë e investimeve në infrastrukturë.

“Ju tanimë e dini që Drejtoria e Infrastrukturës sivjet ka të zotuar rreth 18 milionë euro për investime në infrastrukturë dhe prej të cilave prej mbi 75 kontrata janë aktive”.

“Pra sezoni i verës është sezon kur kryhen, kur është fluksi më i madh i punëve të infrastrukturës, dhe këtë pikërisht po e bën edhe komuna e Prishtinës”.

Sanimi i gropave është vetëm njëri prej tyre, kemi pasur shumë ankesa prej qytetarëve për gropa të shumta të cilat janë bërë nëpër rrugët e kryeqytetit dhe tanimë kontrata është nënshkruar dhe është duke u punuar”, tha Mullafazliu.

Zëdhënësja Mullafazliu tha se nga komuna tashmë ka filluar të bëhet identifikimi i parkingjeve në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” dhe shumë shpejt do të fillojë edhe trajtimi i komplet bulevardeve në rrugën “ Luan Haradinaj” dhe në rrugën” Garibaldi”.

E tërë kjo sipas saj do të shkaktojë tollovi në trafik dhe qytet, porse janë duke punuar me kapacitete të shtuara në mënyrë që punët të përfundojnë sa më shpejt.

Arsye të tjera sipas saj përveç gropave dhe rrugëve të dëmtuara, janë edhe përqendrimi i të gjitha institucioneve qendrore në kryeqytetet, si dhe shtimi i vizitave të mërgimtarëve gjatë muajve të verës.

“Duhet ditur që komuna e Prishtinës është kryeqytet, këtu kemi të vendosura edhe institucionet qendrore dhe tash është vera, kemi vizitat prej jashtë të bashkatdhetarëve të cilët kanë ardhur, dhe të gjithë prej tyre frekuentojnë. Kemi shumë njerëz që më vendbanim nuk janë në Prishtinë por vijnë, vendin e punës e kanë në Prishtinë”.

“Të gjitha këto e shtojnë patjetër fluksin në trafik por në bashkëpunim edhe PK edhe me inspektorët tanë të komunikacionit të cilët i kemi në terren çdo ditë, mendon shumë në menaxhimin e situatës”, tha Mullafazliu.

pr

Në anën tjetër, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti, në një përgjigje përmes telefonit ka konfirmuar për KosovaPress se muajin e fundit janë shtuar ngarkesat në trafik brenda kryeqytetit dhe se kjo ngarkesë vërehet sidomos në orët e paradites.

Kjo ngarkesë, sipas Ahmetit, më pastaj ka prodhuar edhe shqiptim të gjobave të cilat, për periudhën njëmujore, prej 01deri më 29 korrik 2015, janë gjithsej 1 mijë e 189 gjoba.

Mirëpo, përkundër kësaj gjendjeje, Ahmeti ka theksuar se numri i aksidenteve, duke përjashtuar ato në dalje të Prishtinës, mbetet i njëjtë.

“Këtë muajin e fundit nga ora 10-11 e paradites po shtohen ngarkesat në komunën e Prishtinën, me automjetet me tabela të huaja. Po vërehet, krejt çka kemi më shumë problem se muajve të tjerë janë parkingjet e parregullta dhe mosrespektimi i rregullave në trafik është në rritje”.

“Kjo ka shtuar edhe numrin e gjobave të shqiptuara, pra ka gjoba më shumë. Përndryshe në aksidentet nuk ka rritje apo ulje , janë njëjtë, nuk ka lëvizje”, tha Ahmeti përmes telefonit për KosovaPress-in.

Në statistikat që zyra për informim ka dërguar në KosovaPress njësiti i trafikut që operon në qytetin e Prishtinës gjatë operacionit “Respektimi i Semaforit”, për mosrespektim të semaforit(drita e kuqe) janë shqiptuar 504 tiketa, për rreshtim të gabuar 485 tiketa, si dhe për kundërvajtje të tjera janë shqiptuar 200 gjoba, të cilat gjithsej bëjnë 1 mijë e 189 gjoba.