Prishtina merr mbështetje për Transportin Publik

Komuna e Prishtinës ka marrë mbështetjen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të punuar në planin e detajuar të reformimit të transportit publik. Ky plan pritet të përfundoj në pjesën e dytë të vitit 2014.

Lajme

03/04/2014 16:39

Grupi i ekspertëve nga Londra në kuadër të BERZH-it, kanë dhënë mbështetjen e tyre për të punuar me Komunën e Prishtinës, në planin e detajuar të reformimit të transportit publik.

Drejtuesi i Zyrës së Bankës Europiane për Rindertim dhe Zhvillim (BERZH) për Kosovën, Anton Kobakov, Specialisti për Transportin urban qendror, Wen-Jing Huang, si dhe Menaxheri kryesor i Infrastrukturës lokale dhe i ambientit, Jan Johansson, të cilët po qëndrojnë për vizitë dy ditor në Prishtinë, sot janë takuar më Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti dhe nënkryetari Dardan Sejdiu.

Në një njoftim të Komunës së Prishtinës, bëhet e ditur se zyrtarë komunal së bashku me këtë grup janë duke diskutuar modalitetet për financimin e një pjese të projektit të trafikut urban në Prishtinë.

“Projekti përfshinë një flotë të re të autobusëve dhe menaxhim të integruar të tyre, sistem të integruar të biletimit, ridizajnim të linjave të autobusëve, si dhe reformim të plotë të ndërmarrjes publike “Trafiku Urban”. E gjitha kjo pritet të kurorëzohet në pjesën e dytë të vitit 2014, atëherë kur Komuna do të fillojë implementimin e këtij projekti kapital për Prishtinën”, thuhet në këtë komunikatë të Komunës së Prishtinës.