Prishtina me numër të vogël të asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuar

Numri i asistentëve për nxënësit me aftësi të kufizuar në kryeqytet mbetet i ulët. Sipas Drejtoreshës për Arsimit, arsyeje e këtij numri të vogël të këtyre asistentëve është mungesa e buxhetit. Andaj kërkojnë mbështetje nga Qeveria. Problemi me asistentë për nxënësit me aftësi të kufizuar mbetet i dukshëm në kryeqytet. Për dy nxënëse të cilët…

Lajme

23/10/2024 23:24

Numri i asistentëve për nxënësit me aftësi të kufizuar në kryeqytet mbetet i ulët. Sipas Drejtoreshës për Arsimit, arsyeje e këtij numri të vogël të këtyre asistentëve është mungesa e buxhetit. Andaj kërkojnë mbështetje nga Qeveria.

Problemi me asistentë për nxënësit me aftësi të kufizuar mbetet i dukshëm në kryeqytet.

Për dy nxënëse të cilët kanë çrregullime shëndetësore aktualisht duhet të kujdeset një asistente.

E ky numër sipas drejtoreshës për arsim Jehona Lushaku Sadriu mbetet i vogël.

Prandaj ajo kërkon ndihmë nga Qeveria që ky numër të rritet.

“Komuna e Prishtinës ka një numër të  fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje dhe momentalisht nuk e kemi numrin jemi shumë larg nga kërkesa na duhet buxhet shtesë dhe këtë buxhet duhet të marrim miratimin nga niveli qendror që bie Qeveria. Besoj që Qeveria duhet të ndaj një fond enkas për mbështetjen e këtyre fëmijëve pa këtë mbështetje komunat nuk mund ta realizojnë mbështetjen e tyre . Ne kemi një asistent për dy fëmijë një asistent arrin qe vetëm për dy orë të përkujdesët për atë fëmijë”, thotë drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu.

Nga Sindikata e Bashkuar thonë se edhe mësimdhënësit po kanë vështirësi në mbajtjen e procesit mësimore, prandaj duhet që të kenë mbështetje nga asistentët.

“Ne nga tereni kemi pasur vërejtjet e kolegeve tonë, të cilët me arsye kërkojnë mbështetje dhe ndihmë. Nga me angazhimin për gjithë përfshirje ne nuk kemi qenë kundër që edhe fëmijët që kanë probleme shëndetësor të jenë në klasë të shkollave, por ata shkolla duhet të kenë mbështetje shumë më të madhe duhet të kemi shumë me tepër personel mbështetës. MASHTI duhet të bëjë detyrën e vet dhe të ndihmojë DKA-ve me buxhet pasi DKA janë me hall me buxhet”, tha Rrahman Jasharaj.

Mbështetje nga niveli i lartë po kërkon edhe eksperti i arsimit, Ismet Potera.

“Ministria duhet të mbështesë edhe komunat për ta zgjidhur problemin se  e di që shumë komuna nuk kanë mundësi buxhetore për të bërë këtë. A është kjo problem i planifikimi të buxhetit për këtë çështje do të duhej të shqyrtojnë komunat vet. Por nëse është se Ministria e Financave nuk po ndanë buxhet atëherë  duhet të alarmohet kjo çështje pasi po kanë probleme, shkollat familjet por edhe mësuesit  të cilët në klasat e tyre kanë fëmijë të tillë pasi si të ndihmojnë në zhvillimin e tyre”, tha Potera.

Sipas Ministrisë së Arsimit, asistentë personalë duhet të kenë vetëm nxënësit me aftësi të kufizuara të rënda dhe të shumëfishta, të cilët nuk mund të qëndrojnë në klasë pa përkrahje të asistent.