Prishtina me dy tregje të mëdha

Isa Mustafa u ka premtuar tregtarëve të Kryeqytetit zgjerim dhe përmirësim të hapësirave për të zhvilluar zejen e tyre. Ai dhe Agim Veliu vizituan tregut në Zonën Industriale.

Lajme

30/10/2013 14:14

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, ka premtuar sot zgjerim të hapësirave për tregti të mallrave në Kryeqytet.

Gjatë vizitës së Tregut në Zonën Industriale të Prishtinës, Mustafa së bashku me kandidatin LDK’së për kryetar të Podujevës Agim Veliu, u kanë premtuar tregtarëve kushte më të mira për punë.

Mustafa ka thënë se përveç banorëve të Prishtinës, ky treg shërben për të gjitha komunat përreth.

Përveç premtimit për zgjerim të hapësirave në tregun ekzistues, Mustafa tha se me planin zhvillimor të Prishtinës, parashihet ndërtimi i edhe një tregu me përmasa të tilla në pjesën veriore të qytetit.

“Gjatë mandatit të ardhshëm do të angazhohemi dhe do të arrijmë që këtë treg ta organizojmë si një Kompani publike komunale, sepse ajo funksionon për të mirën publike”.

“Me planin zhvillimor të Prishtinës është paraparë edhe ndërtimi i një tregu në pjesën veriore të Prishtinës, i cili do të funksionojë në kuadër të Kompanisë ‘Tregu’, me çka ne do t’u ofrojmë shërbime edhe më shumë qytetarëve”.

Veliu i cili gjithashtu është në garë për të rimarrë pozitën e të parit të Podujevës, tha se tregje të tilla i hyjnë në punë shumë edhe bashkëqytetarëve të tij.

“Një pjesë e konsiderueshme e programit të LDK-së që parasheh stimulimin e prodhimeve vendore do të zbatohet në këtë treg, prej nga në të ardhmen do të mund të furnizohen qytetarët, jo vetëm nga Prishtina dhe Podujeva, por edhe nga komunat tjera të Kosovës”, ka thënë Agim Veliu.