Prishtina me ‘200 luftëtar pas vete’ në Drenas– Synojnë të sjellin trofeun në kryeqytet

Xhiroja e fundit në Superligën e Kosovës në futboll do të jetë jashtëzakonisht interesante, për shkak se do të vendoset titulli i kampionit.

Sport

19/05/2019 10:11

Në Drenas, skuadra e Feronikelit do të jetë nikoqire e Prishtinës, ku do të luhet direkt për titullin e kampionit.

Feronikeli numëron 77 pikë, dy më shumë se ‘bardh e kaltrit’ nga kryeqyteti, dhe një barazim do t’iu mjaftonte për titullin e kampionit.

Por, Prishtina në anën tjetër ka nevojë vetëm për tri pikët, në mënyrë që të fitojë titullin pas disa viteve, shkruan lajmi.net.

Për këtë ndeshje, skuadrën nga kryeqyteti do të shkojnë ta përkrahin edhe tifozët ‘Plisat’, të cilët sigurisht nuk mund ta linin skuadrën të vetme në këtë ndeshje të rëndësishme.

Një anëtar i këtij tifo grupi, i cili do ta ndjek ndeshjen nga tribunat në Drenas, ka konfirmuar për lajmi.net se do të jenë rreth 200 tifozë që do të udhëtojnë për ta përkrahur skuadrën e Prishtinës.

Organizimi i ‘Plisave’ është bërë në atë formë që udhëtimin tifozët do ta bëjnë me autobusë.

Është skuadra e Feronikelit ajo që ka ndarë 200 bileta për tifozërinë mysafire, të cilët shkojnë me synimin e vetëm që të kthehen në Prishtinë me titullin e kampionit.

Përveç spektaklit në fushë, duket se xhiroja e fundit në Drenas do të ketë spektakël edhe nga tribunat. /Lajmi.net/