Prishtina fluturon me Shpendin

Shpend Ahmeti ka mundur Isa Mustafën në Prishtinë. Zyrtarisht, Shpendi ka marrë 37.001 vota, ose 51.73 për qind, ndërsa Isa 34.521 vota, ose 48.27 për qind. Festa në Kryeqytet i takoi Vetëvendosjes.

Lajme

01/12/2013 19:30

Shpend Ahmeti është Kryetar i Prishtinës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori rezultatet për të gjitha vendvotimet në Prishtinë, në të cilat konfirmohet epërsia e Kandidatit të Vetëvendosjes për Kryetar të Komunës.

Sipas rezultateve, Shpend Ahmeti ka marrë 37.001 vota, ose 51.73 për qind, ndërsa Kryetari i derisotëm i Prishtinës, Isa Mustafa mori 34.521 vota, ose 48.27 për qind.

Simpatizantë të Vetëvendosjes e kanë mbushur Sheshin e Prishtinës, të ekzaltuar nga fitorja e Shpend Ahmetit.

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Vetë Ahmeti, në paraqitjen para tyre, ka thënë se ky është hapi i parë drejt fitores dhe ndryshimit.

“Deri tash flamurin kombëtar e kemi ngritur vetëm në protesta, sonte kur po e shoh këtu zemra mal po më bëhet. Fitore…!”.

“Ky ishte vetëm hapi i parë drejt fitores i ndryshimit të madh. Do të punojmë shumë. Kjo ishte fitore e juaja, fitore e qytetarëve, e banorëve të Prishtinës”, ka thënë Shpend Ahmeti.

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka pohuar se fitorja e tyre në Prishtinë është fitore e demokracisë.

“Ky është një fillim i madh i ndryshimit të madh në Kosovë, që nis me fitore në Komunën më të madhe të Kosovës, Kryeqytetin”.

“Shpendi dhe Vetëvendosja nuk do të qeverisin vetëm për ata që na kanë votuar, por do të qeverisim për të gjithë banorët e Komunës dhe për secilin qytetar”.

“Qeverisja jonë nuk do të jetë sundim siç ka qenë 14 vjet pas luftës, por do të jetë shërbim për qytetarët”.

“Kjo është fitore e demokracisë, fitore e Republikës, fitore e Prishtinës, fitore e Shpendit, fitore e Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

Foto: Petrit Rrahmani | lajmi.net

 

______________________________

Vetëvendosje ka festuar në Kryeqytet.

Sipas VV’së, nga rezultatet e deritashme, Shpend Ahmeti ka fituar.

Po ashtu, nga 92 për qind e votave të numëruara nga KQZ, Shpend Ahmeti ka marrë 51 për qind, ndërsa Isa Mustafa ka 48 për qind.

Nga rezultatet e deritashme, Shpend Ahmeti ka rreth 1750 vota më shumë.

Visar Ymeri ka deklaruar për lajmi.net se sipas rezultateve që i kanë marrë nga komisionarët e tyre, Lëvizja Vetëvendosje udhëheq në Prishtinë diku me mbi 51 për qind të votave dhe LDK ka rreth 48 për qind.

“Shumica e vendvotimeve tashmë janë numëruar dhe mendoj se Shpend Ahmeti e ka fituar garën për Prishtinë”.

“Ne jemi në prag të përfundimit të numërimit të votave dhe deri tash ne vazhdimisht kemi udhëhequr dhe jemi duke udhëhequr me një përqindje të votave i cili duket se është i pa përmbysshëm”.

 

______________________________

Një garë jashtëzakonisht e ngushtë po zhvillohet në Prishtinë në mes të Kandatit të LDK’së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.

Sipas të dhënave të KQZ, nga  42 për qind e vendvotime të procesuara, del që Shpend Ahmeti ka marrë 15.082 vota ose 50,47 % për dallim nga Isa Mustafa i cili ka marrë  14.574 vota ose 48,77 %.