Prishtina edhe këtë vit probleme me ajrin e ndotur, kush është shkaktari kryesor?

Vitin e kaluar, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u radhit ndër vendet e para në botë, sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit.

Lajme

30/11/2018 22:01

Por siç duket, as këtë vit, Prishtina nuk do të jetë më mirë.

Me të rënë temperaturat, filloi të shfaqej përsëri problemi i ndotjes së ajrit ku edhe këtë vit në kryeqytet ka kaluar koeficientin e ndotjes mbi 300 PM, shkruan lajmi.net.

Sipas Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik shkaktar për ndotjen e ajrit janë termocentralet dhe qymyri i cili përdoret për ngrohje.

Sipas tyre, problemi i ndotjes së ajrit është problem që ekziston që nga pas lufta, për të cilin nuk priten rezultate të shpejta, sepse varet nga disa ministri se sa shpejtë përmbushin obligimet e tyre ligjore.

Ndërkohë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor së bashku me Komunën e Prishtinës kishin vendosur ndalesë për shitjen dhe përdorimin e qymyrit, por kjo nuk funksionoi, shkruan lajmi.net.

Komuna dhe ministria pas vendimit nuk u morrën më me këtë temë, e qymyri vazhdoi të shitej dhe tani po përdoret dhe me të madhe po i kontribuon ndotjes së ajrit në Prishtinë.

Lajmi.net ka siguruar disa fotografi ku shihet tymi i tmerrshëm që del nga oxhaku i një shtëpie që për nxemje, djeg qymyr.

Ndotja e ajrit po vazhdon edhe më tutje të jetë problem për kryeqyteti si shkak i mungesës së angazhimit të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Lexues të portalit Lajmi.net vazhdimisht adresojnë shqetësimet e tyre në lidhje me ndotjen e ajrit siç ishin edhe këto fotografi dhe video të cilën mund ta shihni më poshtë:

Ndërkohë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një intervistë për lajmi.net ka thënë se termocentralet nuk janë ndotësi kryesor.

Ai ka theksuar se Kosova A ka ndërruar filtrat dhe nuk e ndot shumë ajrin. Problemi qëndron tek Kosova B që është një ndotës më i madh si pasojë e mos ndrrimit të filtrave asnjëherë deri tani.

Lluka gjithashtu duke iu referuar një studimi të Bankës Botërore është shprehur se ndotja e ajrit në Prishtinë sipas këtij studimi vjen si pasojë e përdorimit të thëngjillit të pakontrolluar nëpër shtëpi.

Lexo edhe: Në mars kuptohet nëse do nis ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’

Ndërkohë, sipas matjeve të sontme të orës 20:00 koeficienti i ndotjes së ajrit në Prishtinë është 259 PM, shkruan lajmi.net

Vlen të theksohet fakti se në orën 18:00, koeficienti i ndotjes së ajrit ishte 93 PM, ndërsa për dy orët e mbrëmjes u rrit në 259.

Kjo mund të jetë edhe një matës tjetër se ndotësi kryesor i ajrit janë djegësit privat të qymyrit nëpër shtëpi. /Lajmi.net/