Prioritetet e Mimozës
Mimoza Kusari-Lila thotë për lajmi.net se prioritet i saj është zhvillimi ekonomik që do të bëhet me sjelljen e investitorëve. Ajo beson se do t’ia kthejë identitetin Gjakovës duke investuar më shumë në ekonomi, kulturë dhe sport.

Lajme
Fituesja e garës për kreun e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thyer akullin për një gjë – duke u bërë Kryetarja e parë femër që do ta udhëheqë një Komunë në Kosovë.
Ajo më 1 dhjetor mori besimin e shumicës së gjakovarëve, gjë që i mundëson asaj një mandat 4 vjeçar në krye të qeverisjes lokale në Gjakovë.
Duke qenë se kishte garuar edhe një herë për këtë post, fitorja e 1 dhjetorit sigurisht për të ka qenë dhe më e ëmbël.
Në një intervistë për lajmi.net, tashmë Kryetarja e sapozgjedhur e Gjakovës ka renditur zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si prioritete të saj gjatë mandatit në krye të Komunës.
“Natyrisht se prioritet imi është zhvillimi ekonomik, punësimi, por gjithashtu edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe ofrimi i kushteve për një jetë më kualitative për banorët e Komunës së Gjakovës”.
“Përmbyllja e disa projekteve të cilat ka qenë dashur të kryhen deri më tani, projekte bazike, si dhe ngritja e kualitetit të jetës në aspektin kulturor dhe politik”.
Për zhvillimin ekonomik, Kusari-Lila beson se me ofrimin e kushteve më të mira për investitorë, duke hequr edhe disa barriera, do të mund që t’i jap hovë zhvillimit ekonomik në Gjakovë.
“Përmirësimin e një ambienti investiv, ofrimin e kushteve për investitorët që ata të investojnë në Komunën e Gjakovës”.
“Gjithashtu heqjen e disa barrierave, ngarkesave, si dhe promovimin e Gjakovës si një destinacion për investime, të cilat presim që të vijnë edhe më shumë, duke pasur parasysh se në Gjakovë prej vitit të ardhshëm do të funksionalizohet Zona e Lirë Ekonomike, Aeroporti, si dhe ka më tepër fokus në inovacion, në biznese të reja dhe në subvencione në bujqësi dhe në sektorët e ndërmarrësitë e vogla dhe të mesme”.
Mimoza kishte premtuar se do t’ia kthejë identitetin e Gjakovës. Ajo thotë se Gjakova ka qenë gjithmonë prijëse e proceseve ekonomike, kulturore dhe sportive.
“Gjakova si Komunë ka qenë prijëse në proceset ekonomike, por gjithashtu edhe në procese të tjera kulturore dhe sportive”.
“Këto tri karakteristika i kanë munguar Gjakovës në vitet e fundit dhe unë besoj fuqishëm që me një angazhim timin gjatë këtyre 4 vjetëve, me qeverisjen me të cilën do ta udhëheq, qeverisjes lokale do të mund t’ia kthejë këtë identitet Gjakovës”.
E pyetur nëse Kundërkandidati i saj, Pal Lekaj ia ka uruar fitoren, Kusari-Lila tha se këtë gjë e kishte dëgjuar nga raportimi i mediave, ndërsa urimin e Lekajt që e ka bërë në rrjete sociale personalisht nuk e kishte parë.
“Jo, nuk ma ka uruar personalisht”.
“Vetëm përmes rrjetit social Facebook, për atë që kanë raportuar mediat. Unë personalisht nuk e kam parë një gjë të tillë”.