Princi i Jordanit tregon për dashurinë në Kuranin

Princi Ghazi Bin Muhammad Bin Talal i ftuar nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, në kuadër të Javës së Paqes, ka thënë se dashuria duhet të jetë ligj për të gjithë njerëzimin. Duke folur për “Dashurinë në Kuranin e Shenjtë”, ai ka thënë se dashuria ndaj shtetit është pjesë e fesë.

Lajme

29/05/2014 20:33

Dashuria duhet të jetë ligj i përgjithshëm për të gjithë njerëzimin. Kurani është libër i dashurisë, ndërsa Zoti thotë se dashuria ndaj vendit është pjesë e fesë.

Këto ishin fjalët e princit nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë, Ghazi Bin Muhammad Bin Talal, i cili kishte ardhur në cilësinë e mysafirit në Prishtinë, të enjten, për të folur mbi “Dashurinë në Kuranin e Shenjtë”.

Jahjaga u shpreh se ndihet e nderuar me praninë e Princit në Kosovë. Duke e prezantuar Princin jordanez, ajo tha për të se është një nga njerëzit që inspiron të tjerët anekënd botës dhe që ia ka kushtuar jetën gjetjes së një kauze të ndershme.

“Shumë shpesh ne flasim për kufijtë dhe kufizimet e linjave ideologjike që na ndajnë. Shumë shpesh ne kërkojmë që të mbulojmë boshllëqet që na pengojnë në mirëkuptimin tonë, në mënyrë që të krijojmë harmoni dhe paqe për të tjerët që na rrethojnë”.

“Por, shpesh ne gjejmë njerëz që tërë jetën e tyre ia kanë kushtuar gjetjes së një kauze të ndershme. Prandaj që sot kam nderin e veçantë ta paraqes lartmadhërinë e tij, Ghazi Bin Muhammad Bin Talal, i cili ka kapërcyer ndarjet ideologjike, i cili ka inspiruar njerëzit anekënd botës”, tha Jahjaga.

Princi Ghazi bin Muhammad Bin Talal, ndërkaq, duke folur për dashurinë në këtë libër, ka thënë se aty dashuria shfaqet në shumë tema, si: dashuria ndaj Allahut, xhenetit, burrit e gruas, gjithë qenieve njerëzore etj.

Por, siç ka thënë ai, ka dashuri edhe inferiore të anës së kundërt, si:dashuria në të mira materiale, në veprime të këqija, në smirë e lakmi.

“Kurani është libër i dashurisë dhe njerëzit nuk e dinë, nuk e kuptojnë dhe nuk e shohin, por dua t’ju tregoj këtë; ka shumë perde në Kuran, madje kur flasim edhe për atë në gjuhën arabe. Ka vello në tekst, në lexues dhe në të lexuarit aktiv”.

“Kur njerëzit i qasen Kuranit, ata nganjëherë shohin figura të natyrshme, figura juridike të konfliktit e kështu me radhë. Të gjitha këto janë vello, vello në tekst dhe sigurisht edhe vello në të lexuar, sepse ne lexojmë në një mënyrë të caktuar, përmes gjuhës, por, nuk parashikojmë”.

“Zoti e thotë, dashuria ndaj vendit tuaj është pjesë e fesë. Nuk ka ndonjë kundërthënie midis dashurisë së vendit dhe dashurisë së fesë. Zoti thotë, duaje vendin tënd duke qenë besimtar, duke besuar në Zotin, dhe duke besuar në fenë që e ka zbritur ai. Dashuria duhet të jetë ligj i përgjithshëm për të gjithë njerëzimin”, ka thënë ai.

Ndryshe, kjo ishte ngjarja e fundit e Javës së Paqes, Dialogut dhe Tolerancës, që organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme me partnerë të tjerë.