Prezantohet logoja e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

Në Kuvendin e Kosovës është prezantuar logoja e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Lajme

01/06/2019 10:23

Logoja ka dy elemente kryesore, numri 20 që simbolizon 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe pëllumbin si simbol i paqes.

Fehmi Mehmeti, udhëheqës i Ekipit Zbatues për Realizimin e Agjendave Shtetërore, derisa ka prezantuar logon ka dhënë edhe informacione lidhur me  përgatitjet që po bëhen në prag të 20- vjetorit të ndërhyrjes se NATO-së në Kosovë, raporton Ekonomia Online

“Jemi sot këtu që të ju informojmë  lidhur me përgatitjet që janë duke u bërë për 20- vjetorin e hyrjes së NATO-së  në Kosovë. Lidhur me agjendë  janë dërguar ftesa për personalitete të larta ndërkombëtare dhe vendore dhe jemi në pritje  të konfirmimeve. Deri me tani ka interes të  madh për përcjelljen e këtij aktiviteti. Logoja është e përbërë nga dy elemente kryesore numri 20 simbolizon 20 vjetorin  dhe pëllumbi simbolizon paqen”, tha Mehmeti.

Ai tha se slogani  “Për lirinë tonë”, paraqet të tërë sakrificën e heronjve të gjithë atyre që ndihmuan për lirinë  e Kosovës.

“Inspirimi kanë qenë po ashtu aeroplanët e NATO-s që mbushën qiellin e Kosovës. Ndërsa slogani paraqet të tërë sakrificën e heronjve të gjithë atyre që ndihmuan për lirinë tonë. Për lirin tonë do të punojnë çdo ditë më shumë. Në këtë përvjetor do të festojmë të gjithë së bashku”.

Mehmeti ka folur edhe për aktivitetet të cilat do të mbahen gjatë kësaj dite.

“Aktivitetet  kryesore që do të zhvillohen një tubim qendror që do mbahet ne ora 12 në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Gjithashtu tubim madhështor me qytetarët e Republikës së Kosovës. Po ashtu do të organizohet një  konferencë”, tha ai.