Preteni: Mungon guximi për ta gjykuar korrupsionin

Ndër institucionet më të korruptuara në vendin tonë mbeten qeveria, gjyqësori, komunat dhe ndërmarrjet publike. Korrupsion ka më së shumti tek Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe KEK-u, pasi në këto dikastere ka tenderë të mëdhenj.

Lajme

16/08/2015 15:37

Kështu ka vlerësuar drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni në intervistën për KosovaPress, ku sipas tij te pushteti, te gjyqësori, nuk ka llogaridhënie dhe nuk ka transparencë.

Ai mendon se po iu mungon kuraja edhe prokurorëve, por edhe fuqia e guximi profesional i gjyqtarëve, që të trajtojnë këto raste korrupsioni.

Preteni vazhdon me retorikën e njëjtë, thotë se flitet shumë për korrupsionin, hetohet pak, por s’po gjykohet fare. Me gjithë insistimin, Preteni nuk ka treguar emrat e atyre zyrtarëve publik që pretendohet se janë të korruptuar.

“Në baza ditore i pranojmë informacionet e ndryshme për dyshimet për korrupsion, por mbetet konstatimi i njëjtë ende se flitet shumë për korrupsionin, hetohet pak por s’po gjykohet fare. Te pjesa e luftimit po na mbetet ajo pjesa që t’i trajtojmë rastet e mos deklarimit të pasurisë dhe lista e këtyre zyrtarëve që nuk e deklaruan pasurinë. Edhe ajo është bërë publike dhe kundër të gjithëve kemi ushtruar kallëzime penale. Tani jemi në fazën e kontrollit të plotë të formularëve, se kush kontrollohet edhe ajo listë është publike, e cila është bërë me hedhje të shortit diku rreth 800 zyrtarë apo formularë janë duke u kontrolluar”, tha Preteni.

Por, sipas tij, po iu mungon ligji Antimafia për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë.

I pari i AKK-së tha se janë në fazën e kontrollit dhe janë diku 800 zyrtarë që sipas tij herët është të flitet tani se cilat janë të arriturat.

“Për vitin e kaluar kemi pasur më shumë se 25 raste të deklarimit të rrejshëm, mospërputhje mes të dhënave që ne i kemi siguruar dhe deklarimit të pasurisë së këtyre zyrtarëve. Tani jemi në fazën e kontrollit dhe janë diku 800 zyrtarë… sapo kemi filluar këtë ta bëjmë…. Përsëris qëndrimin dhe konstatimin tonë se gjykatat nuk janë duke i dënuar ashtu si duhet”, tha Preteni. (KP)