Pret vendim të drejtë për Limajn

Avokati Tomë Gashi thotë se nuk ka asnjë provë me të cilën do të mund të shpallej fajtor Fatmir Limaj me bashkëluftëtarët e tij. Nesër, kur Gjykata merr vendimin, ai pret lirimin e tyre - nëse veprohet sipas drejtësisë dhe nëse s’ka motive politike.

Lajme

16/09/2013 11:57

Avokati Tomë Gashi pret që nesër klienti i tij, deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, të lirohet përfundimisht nga të gjitha akuzat për rastin e njohur si “Kleçka”.

Gashi deklaroi për lajmi.net se nuk ka asnjë provë me të cilën do të mund të shpallej fajtor Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij.

“Nëse veprohet sipas dispozitave ligjore dhe sipas drejtësisë, atëherë ne nesër presim vetëm një vendim të Gjykatës: Aktgjykim lirues ndaj Limajt e të tjerëve”.

“Frika e vetme e mbrojtjes mund të jetë nëse Gjykata sjell Aktgjykim për arsye të tjera, ashtu siç ka deklaruar Limaj në fjalën e tij përmbyllëse, duke thënë se ai nuk dëshiron që politika të involvohet në këtë çështje. Nëse do të kemi një Aktgjykim politikisht të motivuar, atëherë Aktgjykimi do të jetë në kundërshtim me pritjen time si avokati i Limajt dhe në kundërshtim me ligjin dhe drejtësinë.”

“Mbrojtja ka hequr dorë prej dëgjimit të 30 dëshmitarëve, duke e ditur se nuk ka asnjë provë konkrete me të cilën do të mund të shpallej fajtor Fatmir Limaj. Nëse Kryetari i Trupit Gjykues i aplikon standardet nga shteti prej nga vjen – Anglia, atëherë në bazë të dëshmive, provave që janë shtjelluar, në shqyrtimin kryesor, ne jemi qind për qind të bindur se do të kemi vetëm një Aktgjykim lirues”, thotë Avokati Tomë Gashi, për lajmi.net.

“E gjithë shtylla apo boshti kurrizor i këtij rasti janë dëshmitë e Agim Zogajt, të cilat janë dëshmi krejtësisht të pabesueshme dhe nuk kanë kurrëfarë kredibiliteti – besueshmërie, posaçërisht duke e ditur dhe duke pasur prova të pamohueshme se ai para se të kryente vetëvrasje në Gjermani, ka lënë dokumente me të cilat ka akuzar direkt misionin e EULEX’it dhe vetë Prokurorin e çështjes z. Salustro, se ata janë duke e dërguar drejt vetëvrasjes dhe se ai është nën presion të paparë, duke kërkuar prej tij që të nënshkruajë edhe deklarata të papërkthyera, duke i ofruar shuma deri në 1 milion euro për dëshminë e tij dhe duke i bërë presion të paparë edhe vetë familjes së ngushtë të tij.”

“Ne besojmë se Gjykata nuk do t’u besojë as këtyre thënieve e as atyre akuzuese ndaj Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij”.

Seanca vendimtare, në të cilin Gjykata do të marrë vendimin për rastin “Kleçka” mbahet nesër në orën 14:00 në ambientet e Kinemasë ABC 1, te Qafa në Prishtinë.