Pret nga Greqia mbështetje për Kosovën

Kryeministri Thaçi uroi homologun grek Antonis Samaras për marrjen e Presidencës së BE’së dhe pret nga ai mbështetjen e Kosovës në agjendën evropiane dhe në dialogun me Serbinë

Lajme

02/01/2014 12:50

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar homologun e tij grek Antonis Samaras për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit të Bashkimit Europian nga ky shtet që nga 1 janari.

Për gjashtë muaj, sa Greqia do t’i koordinojë punët e BE’së, Thaçi është shprehur se pret që Greqia të luaj rol të rëndësishëm në implementimin e Agjendës Europiane të Kosovës.

Thaçi gjithashtu është shprehur se pret që , si kryesuese e BE’së, Greqia ta mbështesë procesin e normalizimit te marrëdhënieve në mes te Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete te pavarura, si dhe të mbështesë arritjen e marrëveshjeve të reja.

“Sot pata kënaqësinë që në emër të qytetarëve dhe Qeverise së Republikës së Kosovës të uroj Kryeministrin e Greqisë, z. Samaras, për pranimin e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian”.

“Unë besoj fuqishëm që brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti, Greqia do të luaj rol të rëndësishëm në implementimin e Agjendës Europiane, përmes prioriteteve të caktuara për rritjen ekonomike dhe punësimin si dhe për integrim të mëtutjeshëm të rajonit – përfshi Kosovën”.

Derisa Samiti i Selanikut, nën Presidencën Greke të BE’së i vitit 2003, ishte pikë kthese për hapjen e perspektivës së zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë në veçanti edhe perspektivën e Kosovës, unë sot shpreha bindjen time se Presidenca aktuale do të jetë mundësi unike për të përafruar integrimin e Kosovës me BE-në, përmes përmbylljes së Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në mes Kosovës dhe BE-së, si dhe marrjen e vendimit për Liberalizimin e Vizave për Kosovën – si dy shtyllat kryesore të integrimit tonë në BE”.

“E çmojmë lartë rolin e Greqisë, si fqinjë rajonal dhe mbështetëse e Republikës së Kosovës në procesin e integrimeve Euro-Atlantike dhe kam kënaqësinë të konfirmoj përkushtimin tonë në fuqizimin e kësaj perspektive edhe gjatë vitit 2014. Si kryesuese e BE’së, presim nga Greqia që ta mbështes procesin e normalizimit te marrëdhënieve në mes te Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete te pavarura, si dhe të mbështesë arritjen e marrëveshjeve të reja”.

“Shteti i Kosovës do të jetë partner serioz në ndërtimin e perspektivës europiane të rajonit dhe më gjerë”, ka shkruar Kryeministri Hashim Thaçi në Facebook.

Greqia është një ndër pesë shtetet anëtare të BE’së që ende nuk e ka njohur Kosovën, bashkë me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë.